Presidenti Ilir Meta ka bërë lëvizje surprizë me emërimet e reja në Presidencë, ku Bahri Shaqiri ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si Këshilltar për Cështjet e Sigurisë Kombëtare. Këtë post do ta mbajë Spiro Koci, ndërsa Arben Cici është emëruar si Këshilltar Diplomatik.

Sa i përket Edmond Panaritit, i cili më parë deklaroi se do të ndërpresë angazhimin në LSI për shkak të një detyre të rëndësishme, Meta njoftoi se e ka emëruar si Drejtor të Kabinetit.

Njoftimi i plotë: Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka pranuar sot dorëheqjen e z.Bahri Shaqiri nga detyra e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, për shkak të angazhimeve të tij në të ardhmen, që nuk përputhen me këtë detyrë tepër të rëndësishme.

Presidenti Meta, ka emëruar Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, z.Spiro Koçi, i cili deri sot ka ushtruar detyrën e Këshilltarit Diplomatik të Kreut të Shtetit.

Presidenti Meta ka emëruar Këshilltar Diplomatik, z.Arben Cici, i cili ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kabinetit.

Për shkak të forcimit të prioriteteve të reja të Institucionit të Presidentit të Republikës, me qëllim përballimin me sukses të sfidave, që parashtron koha, në funksion të interesit më të mirë qytetar dhe kombëtar, siç janë:

– Sfidat e pandemisë COVID-19 dhe shëndetit publik, – Sfidat me të cilat përballet faktori shqiptar; – Shpopullimi i vendit, – Sfidat në Arsim, – Sfidat në Mjedis,

Kreu i Shtetit, ka emëruar sot në detyrën tepër të rëndësishme të Drejtorit të Kabinetit, Prof.Dr. Edmond Panariti.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re