Kur mesditën e sotme kryeministri italian Giuseppe Conte u takua për rreth 30 minuta me presidentin Sergio Mattarella, duke i deklaruar atij vendimin për dorëheqje, ai vetëm sa zyrtarizoi një krizë të filluar javë më parë me vendimin e Matteo Renzit për të tërhequr besimin ndaj qeverisë.

Por çdo të ndodhë tani me Conten, qeverinë por edhe politikën italiane? Skenarët janë të shumtë.

Në radhë të parë, kryeministri Conte do të mbetet në funksion deri sa të zgjidhet kriza, sepse siç e do tradita italiane, kur një kryeministër paraqet dorëheqjen, presidenti nuk e pranon atë formalisht, në mënyrë që kreu i ekzekutivit të ketë plotfuqi deri në zgjidhen e krizës, ose më mirë të numrave të nevojshme në Dhomën e Ulët dhe në Senat.

Hipoteza kryesore gjatë këtyre ditëve ka qenë rikthimi i Contes me një mandat të tretë, pas gjetjes së një koalicioni më të gjerë me deputetët dhe senatorët që e mbështetën edhe pse vinin nga opozita, të  cilësuar si “I responsabili”, pra të përgjegjshmit për mos rënien e qeverisë në një moment kaq të vështirë për shkak të pandemisë.

Por sinjale të kundërta vijnë në orët e fundit. Presidenca ka deklaruar se do të fillojë konsultimet gjatë ditës së nesërme, që do thotë se Conte nuk i ka siguruar ende numrat e nevojshëm, dhe emërimin e tij të tretë në atë post.

Por edhe opozita, e kryesuar nga Lega e Matteo Salvini që është kundërshtari kryesor i Contes, nuk duket sikur do të paraqitet e bashkuar, në diskutimet me presidentin Mattarella. Forza Italia e Silvio Berlusconit duket sikur ka një qëndrim më të butë ndaj ekzekutivit, dhe jo rastësisht besimi ne Senat i javës se kaluar u mundësua nga disa senatorë të Forca Italia, zyrtarisht si vendim personal.

Një gjë është e sigurt, pjesa më e madhe e politikës italiane nuk dëshiron të shkojnë zgjedhje të parakohshme, sidomos në një periudhë të tillë, ku kufizimet në fushata, por edhe në vetë organizimin e koalicioneve, do të ishte problematik. Ka edhe një tjetër detaj, që nuk duhet anashkaluar. Në qoftë se do të kishte zgjedhje të parakohshme, pjesa me e madhe e Dhomës së Ulët, i përbërë nga 603 deputetë, nuk do të merrte pensionin që i përket tradicionalisht. Mirton Resuli, A2 CNN

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re