Presidentja hungareze Katalin Novak ka dhënë dorëheqjen pas presionit  publik në rritje për faljen e një burri të dënuar si bashkëpunëtor në një rast të abuzimit seksual të fëmijëve. Novak njoftoi dorëheqjen e saj gjatë një daljeje të jashtëzakonshme mediatike ku u kërkoi falje qytetarëve.

“Kërkoj falje për ata që mund të kem ofenduar dhe për të gjitha viktimat që mund të kenë ndjerë se nuk kam qëndruar në mbrojtje të tyre. Kam qenë gjithmonë në mbrojtje të  fëmijëve  dhe familjeve. Sot shënoj fjalimin tim të fundit për ju si presidente, pasi ju jap dorëheqjen nga ky post”

Të paktën 1,000 njerëz protestuan në kryeqytetin e vendit të premten duke kërkuar dorëheqjen e Novak. Partitë opozitare hungareze kishin kërkuar gjithashtu që ajo të largohej nga detyra.

Novak vendosi të falte me dekret disa të dënuar në prill të vitit 2023, përpara një vizite të Papa Françeskut. Por mes te dënuarve  ajo ka falur edhe   nëndrejtorin e një shtëpie fëmijësh në një qytet pranë Budapestit. Ky person  i cili ishte burgosur për tre vjet detyroi fëmijët të tërhiqnin deklaratat për abuzim ndaj drejtorit i cili ishte dënuar me tetë vjet burg. Novak është një aleate dhe ish-ministre e kryeministrit konservator Viktor Orban.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re