Detaje të reja kanë dalë në lidhje me arrestimin e efektivit të RENEA-s, Altin Morina, i cili ditën e djeshme u kap në makinën e tij me 113 mijë euro, 290 mijë lekë të reja dhe 80 paund.

Para se të arrestohej, Morina ishte në Elbasan ku dyshohet se ka dorëzuar shuma parash tek persona të skeduar.

Ndërkaq, pak para arrestimit, ai është vëzhguar nga forcat operacionale dhe ndodhej në mjet me një zyrtar të lartë të një agjencie ligjzbatuese, identiteti i te cilit nuk bëhet publik nga hetuesit. Gjithashtu, nuk dihet arsyeja pse efektivi nuk është ndaluar në momentin qe ishte me të.

Ky nuk është rasti i parë ku punonjës të policisë së shtetit shoqërohen me persona të inkriminuar. Kujtojmë këtu rastin e oficerit të operacionales Jeton Lami, i arrestuar për shpërdorim detyre, me akuzën se shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit të kaluar.

Zyrtarisht policia thotë se polici i Reneas u arrestua për tre vepra penale: pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre. Mesditën e së martës Morina u kap duke lëvizur vetëm me një automjet audi në zonën e njohur si Kodra e Diellit./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re