Gjykata e Dibrës këtë javë do të vendosë fillimin ose jo të procesit gjyqësor për katër të pandehurit e dosjes së famshme 184. Fax News ka siguruar kërkesën për gjykim dhe pushimin e hetimeve për disa nga personazhet më të njohura të politikës që u shfaqën në këto përgjime, të cilat tashmë janë bërë publike.

“Nr.625, datë 10.09.2016, bisedë ndërmjet Drejtorit të OSHEE Dibër, shtetasit Bekim Krashi,  përdorues i nr.celular 069 29 99 993 dhe një personi me emrin Sadin, përdorues i nr.celular 068 67 95 208; Gjatë bisedës, Sadini i thotë Bekimit: “Tani doja të thoja pak për familjen e Halit Bashës. Ka 3 vota por ai don diçka mor burrë i dheut. Si t’ja bëjmë ne…?” dhe Bekimi i thotë “A ke komuniku me Naimin…?”.

Sadini i përgjigjet “Po jam konsultu pak, po për Zotin nuk e di. Edhe për Fiqiri Bashën ka 2 vota dhe ka dhanë thjesht 50 mijë lekë…”. Bekimi e pyet “Sa?” dhe Sadini i përgjigjet “50 mijë lekë. Kshu m’tha Fiqiriu. Nuk e di sa e vërtetë është. Nuk e di sa është me letra”.

Bekimi i përgjigjjet “hë se i qepi unë ata po hë, se me letra, do mi japin një më një letrat ata”. Bekimi i thotë Sadinit “unë tani jam në Peshkopi. Mbama peng, po vij nesër unë e po i jap noj gjë”. Sadini i thotë “Sa duhet ti japim përshembull për Halit Bashës? Sa mund t’i japim?”, Bekimi i thotë “Sa kanë ato 5?”, Sadini përgjigjet 3 vota ka Haliti edhe 2 vota ka Fiqiri Basha”.

Bekimi i thotë “jepu ka nji 40 mijë leksh a 50 mijë leksh, ta shohim ça do bëjmë”. Sadini e pyet “50 mijë lekë për 2 vota?”, Bekimi përgjigjet “jo mo jo.Tu japim ka nji 40 -tëshe, 30-tëshe ose i 40-tëshe për copë.Sa ka aj, 3? Ose jepi 100”. Sadini e  pyet “40 për votë aaa?”, Bekimi i përgjigjet “100 mijë lekshin ja japim atij që ka 3”.

Sadini e pyet “po ktij që ka 2 vota?”, Bekimi i përgjigjet “atij do i japim 60-70 mijë lekë”.Sadini i thotë “Naimi ka dhonë 50 më thotë Fiqiriu. Dmth t’i japim edhe 20 plus” dhe Bekimi ia kthen “po mor, t’ja jape 20 Naimi”. Sadini i thotë Bekimit “shife tani o burrë se m’duket se janë tu abuzu me punë lekësh o Beko” dhe Bekimi i përgigjet “po leje mos ma përmend ktu n’telefon o Sadin. O Sadin, mos m’thuj mo n’telefon se më çmene me telefon se më përgjohet. Leji kto diskutime me mu n’telefon”. Sadini ia kthen “të kuptoj, të kuptoj.Shifi vetë tani”.

Këto janë disa nga përgjimet e reja që pasojnë ato të bëra publike më parë nga revista prestigjoze Bild. Pas ping-pongut, të kësaj dosjeje sa në SPAK e prokurorinë e Dibrës, disa javë më parë mori të pandehur vetëm 4 zyrtarë lokal, si të përfshirë në “shitblerjen e votës” në zgjedhjet e vitit 2016 të mbajtura në Dibër. Por mes të pandehurve nuk ka asnjë nga ata që kanë dhënë këto urdhra, apo kanë nxitur zyrtarët lokalë në Dibër, të kryejnë veprimet për të cilat ata tashmë janë nën akuzë.

Sipas prokurorisë së Dibrës, 4 janë personat e përfshirë në shitblerjen e votës në zgjedhjet vendore të 2016 në këtë qark ndaj të cilëve rendojnë akuza nga shpërdorim detyre deri ne kanosje të zgjedhësve. Mes të pandehurve që pritet të dalin në gjyq gjatë kësaj jave, janë Drini Gjeci ish-drejtor i Arsimit, Nuri Meda zyrtar në njësinë administrative Tomin, Hasan Hoti zyrtar në njësinë administrative Lure si dhe Robert Aga, ish-shef komisariatit në Dibër.

Në përgjimet e kësaj dosjeje dolën edhe funksionarë të Partisë Socialiste, ku ata kishin një rol aktiv në fushatën e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Dibër, të zhvilluara në datën 11 shtator 2016, por gjatë hetimit nuk është provuar që këto persona të kenë dhënë apo ofruar premtime dhe shpërblime apo të kenë përdorur forma të tjera të korrupsionit zgjedhor, me qëllimin për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re