Skip to content

Dosja 339/1, GJKKO jep vendimet për 4 të akuzuarit, shpallet i pafajshëm nipi i ish-deputetit të PS

Gjykata e Posaçme ka përfunduar gjykimin për dosjen 339/1 të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në kuadër grupit të strukturuar kriminal. Gjykata ka shpallur të pafajshëm Samuel Ndokën, nipi i ish-deputetit Arben Ndoka, i cili prej 3 vitesh është i shpallur në kërkim për akuzën e shitjes së lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të policisë.

Ai akuzohej për një ngjarje të ndodhur më 15 Qershor të vitit 2018 dhe që prej asaj kohe ka qenë në kërkim dhe asnjëherë nuk është arrestuar.

Ndërkohë, 3 të akuzuar të tjerë janë shpallur fajtorë.

  1. Deklarimin fajtor te pandehurit Gentian Marku per kryerjen e veprave “prodhim dhe shitje e narkotike, ne kuadër te grupit te strukturar penal” “armëmbajtje pa leje dhe kundershtim te forcave te policisë” parashikuar nga Neni 283/1 dhe 333/a dhe 334 te Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vite burgim.

Ne aplikim te nenit 406 uljen e 1/3 se dënimit dhe dënimin e tij përfundimtar me 9 vjet e 4 muaj burgim

  1. Deklarimin fajtor te pandehurit Fation Marku per kryerjen e veprave “prodhim dhe shitje e narkotike, ne kuadër te grupit te strukturar penal” “armëmbajtje pa leje dhe kundershtim te forcave te policisë” parashikuar nga Neni 283/1 dhe 333/a dhe 334 te Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vite burgim.

Ne aplikim te nenit 406 uljen e 1/3 se dënimit dhe dënimin e tij përfundimtar me 9 vjet e 4 muaj burgim.

  1. Deklarimin fajtor te pandehurit Oltion Marku per kryerjen e veprave “prodhim dhe shitje e narkotike, ne kuadër te grupit te strukturar penal” “armëmbajtje pa leje dhe kundershtim te forcave te policisë” parashikuar nga Neni 283/1 dhe 333/a dhe 334 te Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vite burgim.

Ne aplikim te nenit 406 uljen e 1/3 se dënimit dhe dënimin e tij përfundimtar me 9 vjet e 4 muaj burgim.

Samuel Ndoka ka pretenduar vazhdimisht pafajësi për akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen në fjalë dhe se në momentin kur ishte kryer aksioni policor, ai ishte në shtëpi.

Gjatë kohës që ka qenë në kërkim për akuzën e përfshirjes në trafik droge, Samuel Ndoka ka dalë në media për të sqaruar pretendimin e tij. Nga arratia, në një intevistë të dhënë për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në muajin Korrik 2021, u shpreh se: “Unë nuk kam patur asnjë rol. Unë e kam mësuar që jam shpallur person në kërkim nga portalet disa ditë mbrapa më ka dalë emri në portale, në televizor, në media, kudo, që jam i përfshirë në këtë ngjarje.

Unë në vendngjarje nuk kam qenë, disponoj prova, disponoj hard-disk të kamerave që kam qenë te shtëpia në atë moment që ka ndodhur ngjarje, disponoj hyrjen që kam hyrë në shtëpi edhe kur kam dalë pasi ka ndodhur ngjarja, arrestimi në Milot, sepse më kanë marrë në telefon më kanë thënë dil se ka ndodhur diçka për Vilsonin, dhe kam dalë. I kam të gjitha provat, kam numrin e telefonit që mund ta lidhin nëpërmjet qelizave, disponoj çdo numër telefoni të familjarëve të mi që kam pasur përreth që t’i shikojnë”.

Samuel Ndoka paraqiti edhe video të kamerave të sigurisë që ditën kur pretendohet se ndodhi ngjarja ai ka qenë në banesën e tij.

Për akuzat e ngritura ndaj tij, Prokuroria kishte kërkuar 18 vite burg, por gjykata rrëzoi çdo akuzë të ngritur ndaj tij duke e shpallur të pafajshëm.