Skip to content

Dosja “AKSHI”/ Apeli i Posaçëm vendos sot për masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit

ergys agasi

Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të shpallë sot, vendimin për masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit, një prej personave të përfshirë në dosjen e njohur si “AKSHI”.

Agasi u arrestua pas rreth tetë muajsh në arrati, gjatë një operacioni policor në zonën e Plepave në Durrës. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet pas nisjes së hetimeve lidhur me dosjen.

Në momentin e arrestimit, në automjetin ku ndodhej Ergys Agasi ishte edhe Ulian Shpataraku, i cili është përmendur më herët si person i afërt me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit lidhur me masën e sigurisë ndaj Agasit, ndërsa vendimi do të përcaktojë vijimin e qëndrimit të tij nën masën e sigurisë të kërkuar nga organi i akuzës.