Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se dosja në ngarkim të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e Edi Ramës.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha e cilësoi Ramën si “arkitektin” e sistemit të korrupsionit në vend, por sipas tij, sikurse në diktaturë, drejtësia nuk mund t’u afrohet për ta hetuar.
“Java fillon në kushtet e një diktature në të cilën de facto Edi Rama ka asgjësuar drejtësinë, ka asgjësuar institucionin e akuzës për faktin e vetëm sepse nga ky institucion, një prokuror guxoi të hetojë dosjen e tij. Çdo orë, çdo ditë që kalon për çdo shqiptar bëhet e qartë se dosja Balluku është dosja Rama.
Dhe se dosja Balluku ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e Ramës. Dhe ajo që është pozitive, është se këtë e ka kuptuar çdo shqiptar. Unë e vlerësoj shumë punën që keni bërë ju me zgjedhësit, përpjekjet tuaja, takimet e rëndësishme dhe përpjekjet serioze, por u garantoj se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ka një revoltë të brendshme shpirtërore tek njerëzit e thjeshtë, të cilët e shohin se edhe ajo shpresë që kishin tek drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit, u shua.
Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama. Ata kuptuan se njëlloj si në një diktaturë, drejtësia nuk mund t’i afrohet atij.
Qytetarët po e kuptojnë, dhe e kanë kuptuar, se vjedhja e pasurive të tyre dhe fondeve publike për Edi Ramën është një normalitet. E konsideron veten si padron të tyre. Javën e kaluar Edi Rama u damkos në këshillin e Evropës.
Para asaj audience në të cilën përfaqësohen të gjitha parlamentet e Evropës, vendeve anëtare të BE, NATO-s e vendeve të tjera, mund t’u pohoj me garanci të plotë se balozi i zi, personazhi më i zi, në këtë sesion ishte Edi Rama.”, u shpreh Berisha.



