Beteja e juristit dhe ekspertit ligjor të OSHEE, Romeo Kara, për hapjen e dosjes CEZ, një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar është zhvendosur në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Prokuroria e Posaçme ka konstatuar moskompetencën për shqyrtimin e dosjes së referuar nga Romeo Kara, i cili kallëzonte për shpërdorim detyre gjyqtarin Lazër Sallakut, i cili mbylli dosjen me kërkesë të Prokurorisë.

Në të njëjtën kohë, në kallëzim kërkohej nga SPAK edhe sekuestrimi i gjithë dosjes CEZ, me dëm ekonomik mbi 400 milionë euro, ku të kallëzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha, sekseri kryesor Nuel Kalaj, ish-ministrit Genc Ruli, ish-zëvendësministra, ish-këshilltarë, ish-drejtorë etj.

Prokuroria e Posaçme është fokusuar vetëm tek veprimet e gjyqtarit Lazër Sallakut, duke vendosur dërgimin e dosjes së tij në Durrës për verifikim, meqenëse gjyqtari punon në Tiranë.

SPAK-u nuk është investuar për të hetuar rolin e Berishës dhe Genc Rulit në këtë aferën CEZ.

Sipas nenit 135 të Kushtetutës, Berisha dhe Ruli janë subjekte të SPAK-ut, për çdo vepër të mundshme penale të dyshuar se mund ta kenë konsumuar.

Por, beteja vazhdon. Romeo Kara konfirmoi për Report Tv se ka vënë në lëvizje Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të rrëzuar vendimin e SPAK dhe hetimin e dosjes nga SPAK-u. Gjykata Speciale shqyrton vendimet e Prokurorisë së Posaçme.

Romeo Kara mendon se SPAK-u duhet të bëjë një hetim të plotë dhe të hollësishëm, jo vetëm për rolin e gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili mbylli dosjen disa ditë pasi mbylli edhe dosjen e Lulzim Bashës për lobimin rus.

“Unë duke mos pasur prova për grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion, cilësova vetëm shpërdorimin e detyrës të cilin unë e argumentoj plotësisht, ndërsa për këto të tjerat ishte detyrë e SPAK-ut që të hetonte nëse ka korrupsion apo diçka tjetër. Nuk merret vendimi për moskompetencë vetëm duke luajtur me cilësimin që unë si kallëzues i kam berë akuzës. Cilësimi i akuzës është atribut i prokurorisë, i cili behet pas një hetimi të plotë dhe të hollësishëm”, thotë Kara.

Ndërkaq, një tjetër betejë po zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës për hapjen e dosjes CEZ.

Gjyqtarja Shpresa Beçaj është zgjedhur përmes shortit për të shqyrtuar ankimimin e Kuvendit të Shqipërisë kundër vendimit të gjyqtarit Lazër Sallaku për mbylljen e dosjes.

Në kallëzimin e bëra nga Kuvendi akuzohet edhe Shkëlzen Berisha, i biri i Sali Berishës, për lidhje të dyshuara dhe të pretenduara nga Kuvendi, me sekserin kryesor të aferës CEZ, Nuel Kalaj.(shqiptarja.com)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re