Apeli i GJKKO-së ka vendosur sot në 2 qershor të heqë një pjesë të sekuestrove preventive të vendosura në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Vendimi u shpall këtë të hënë nga gjyqtari Florjan Kalaja, pas shqyrtimit të ankimimeve të paraqitura nga disa persona nën hetim dhe subjekte tregtare, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Apeli ndryshoi pjesërisht vendimin e mëparshëm të GJKKO-së për disa prej pasurive të sekuestruara. Si rezultat, u rrëzuan disa kërkesa të SPAK për sekuestrimin e aseteve të kompanive të përfshira në hetim.
Gjykata urdhëroi heqjen e sekuestros për qindra milionë lekë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Po ashtu, u vendos kthimi i një apartamenti dhe pasurive të tjera tek subjektet apelues.
Konkretisht, Ergys Agasit iu hoq sekuestroja për një apartament, që ndodhet në një objekt disakatësh në Tiranë. Gjithashtu, Mirlinda Karçanajt iu hoq sekuestroja për një apartament.
Ndërkohë, pjesa tjetër e vendimit të shkallës së parë u la në fuqi nga Apeli. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afatit ligjor prej 45 ditësh.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 02.06.2026, disponoi për çështjen penale nr. 20 akti, datë 19.05.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.P, M.K, E.B, A.K, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”: “Ankim kundër vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, vendosi:
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. G.H.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 123.629.664 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. A.P.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 410.595.663 Lekë dhe kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 94.423.883 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. E.J.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 100.840.264 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin e Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon disponimit mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***” në emër dhe për llogari të Z. E.A.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon sekuestrimit preventiv të pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***”, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe kthimin e pasurisë tek subjekti apelues *** sh.p.k.
Miratimin e pjesës tjetër të disponimeve të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
SPAK sekuestroi mbi 40 milionë euro nga grupi i SPAK më 21 prill të këtij viti. Edhe ish-drejtueses së institucionit Mirlinda Karçanajt iu bllokuan prona e llogari bankare.
Anëtarët e AKSHI-t akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme me dhunë, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera publike, korrupsionin pasiv të funksionarëve publikë, krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, si dhe pastrim parash.
