Avokati Marash Logu është shprehur se dosja e SPAK për ish-ministrin Arben Ahmetaj, do të nxjerrë në pah nëse zyrtarë të tjerë kanë përfituar nga afera e inceneratorëve.

Komentet Logu i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se përgjegjësia në këto raste nuk është vetëm personale, por sipas tij, edhe kryeministri Edi Rama ka përgjegjësi.

Ai shtoi se vite më parë Rama mblidhte Grupin Parlamentar në oborrin e inceneratorëve dhe e cilësonte si histori suksesi.

“Është e pakuptueshme se në inceneratorin e Tiranës ne vijojmë të paguajmë miliona euro në vit. Zoto dhe Mërtiri janë të shpallur në kërkim, dhe investimi i tyre në inceneratorin e Tiranës po vijon të paguhet. Hetimi që është kryer në këtë rast është nje hetim cilësor që e ka zbardhur të vërtetën deri në fund. Është një dosje për t’u vlerësuar për punën profesionale. Hetimi i funksionarëve të lartë public është një proces që kërkon kohë.

Mbetet për t’u parë nëse SPAK do arrijë të arrestojë Ahmetajn, pasi ai rezulton të jetë arratisur. Procedura e ekstradimit është një procedurë që kërkon kohë, por Ahmetaj ja ka detyrim shqiptarëve që të vijë e t’i japë llogari drejtësisë shqiptare.

Besoj që kjo dosje ka elementë edhe për Gjiknurin dhe Felajn dhe kjo dosje do të nxjerrë në pah nëse këta funskionarë kanë përfituar para në forma të ndryshme. Këto hetime kanë një vështirësi të caktuar, sidomos në vende që e kanë të trashëguar kulturën e pandëshkueshmërisë.

Përgjegjësia e vërtetë mund të jetë personale në një rast, por kur kjo përsëritet, nuk shkon më. Rama duhet të bëjë transparencë dhe të japë llogari, sepse ose kemi një kryeministër budalla që nuk di çfarë bëjnë kabineti i tij që do të thotë se nuk është i përshtatshëm, ose është i përfshirë me ta, që sërish do të thotë se nuk është i përshtatshëm. Kryeministri ka detyrimin jo vetëm para opozitës, por edhe para qytetarëve të bëjë transparencë, sepse si është e mundur që kryeministri mblidhte Grupin Parlamentar në oborrin e inceneratorëve dhe i cilësonte si histori suksesi”, është shprehur Logu.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re