Mustafa Bajrami

Rënia e Perandorisë Osmane shkaktoi një dis-balancë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Një pjesë e madhe e botës mbeti në mjegull, ndërsa regjione të tëra mbetën pa kufij administrativ e pa udhëheqje politike. Bota ishte në një kaos të vërtetë.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami:

Sikur shumë pjesë tjera të botës, edhe Lindja e Mesme filloi të ribëhej në një atmosferë të këtillë mjegullnaje. Shtetet bashkëkohore të Lindjes së Mesme lindën nga shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe nga ujditë e marrëveshjet që pasuan Luftën e Parë Botërore. Rënia e asaj perandorie i la popujt e regjionit të gatshëm për të ndërtuar shtetet e tyre, por ata ishin të papërgatitur për t’u përballur me sfidat që po i sjellte sistemi i ri ndërkombëtar. Për shkak se deri atëherë marrëdhëniet e kësaj hapësire gjeografike me Fuqitë e Evropës kalonin përmes Stambollit, arabët, kurdët dhe popujt tjerë të Lindjes së Mesme nuk kishin eksperiencë të mëparshme diplomatike. Mbase, arabët nuk kishin as mundësinë të shpreheshin teksa po copëtohej atdheu i tyre nën orientimin e Lidhjes së Kombeve. Lindja e Mesme u nda midis Fuqive fituese si një formë e re koloniale, e njohur me termin “mandat”. Brenda kufijve të këtyre shteteve lindën lëvizje nacionaliste të cilat, nga njëra anë i kundërviheshin sistemit kolonial, e nga ana tjetër, njëra tjetrës. Shtetet arabe si entitete tashmë të ndara filluan fraksionizmin dhe përleshjet e brendshme si dhe kacafytjet mes vete.  

Gjysma e parë e shekullit XX, Lindjes së Mesme i solli shumë të reja, shumë të papritura dhe e pruri në një gjendje koloniale të tërbueshme. Për shkak të pasurive të mëdha ekonomike që i ka Lindja e Mesme, për shkak të kufijve të saj me një rëndësi strategjike, pastaj burimet e energjisë, kultura, historia, struktura shumëngjyrëshe fetare/sektare, e pra, së këndejmi edhe territori i kurdëve, u bënë mallra pazaresh mes Fuqive të mëdha. Ato u bënë edhe viktimat e para të një bote të re që po lindte.

Marrëveshja e fshehtë Sykes-Pikot e vitit 1916, që kishte për bazë ndarjen
e tokave në Lindje të Mesme e të cilat më parë si një regjion i vetëm dhe unik administrohej
nga Perandoria Osmane, tani më, kjo marrëveshje fatale ishte bërë “brisku” që bënte
copë-copë Lindjen e Mesme. Anglia, Franca, Italia dhe Rusia qitën përpara vete hartën
e saj, dhe si të ishte një tepsi kërrlane e ndanë dhe e copëtuan. Përgjatë këtij
copëtimi, kurdët mbetën në margjina duke i lënë pa një atdhe të mundshëm të
tyre.  

Kështu, pra, shpërbërja e Perandorisë Osmane në fund të Luftës së Parë
Botërore (1914-1918) konsiderohet faktori më i rëndësishëm në tërheqjen e
kufijve aktualë të Lindjes së Mesme. Siç thamë, si rezultat i kësaj lufte,
vendet e Lindjes së Mesme u ndanë sipas interesave dhe spontaniteve të Fuqive
të Mëdha. Popujt e rajonit as që u pyetën e as që u lanë të marrin pjesë në
këto ndarje.

Ta marrin shembull kufirin e Jordanisë me Arabinë Saudite që në botën arabe
njihet si “Lemza e Churchilit”. Kjo shprehje i referohet Winston Churchillit,
këtij burrështetasi britanik që luajti një rol të madh në përcaktimin e hartës
aktuale të Lindjes së Mesme. Sipas disa të dhënave, pas një dreke në 1921,
Churchill, i cili shërbente si Ministër i Kolonive në kabinetin e Lloyd George,
atë ditë u përpoq të tërheqë kufijtë e Jordanisë ndërsa ishte në një gjendje të
dehur. Ndërkohë, që dora e tij rrëshqiste mbi hartën që e kishte mbi tavolinë, për
shkak të gjendjes së tij të dehur, në një moment e kapë lemza dhe dora i rrëshqet
matanë hapësirës që dëshiroi ta përkufizonte. Kufiri aktual mes Jordanisë dhe
Arabisë Saudite i përngjet një trekëndëshi të madh i vizatuar si është më së
keqi. Sado që saktësia e tregimit mund të jetë një temë diskutimi, mënyra
spontane e vizatimit të kufijve në Lindjen e Mesme është e padiskutueshme.

Marrëveshja apo Traktati Sykes-Picot (1916), nëpërkëmbi interesat edhe të kurdëve
dhe historinë e tyre, ndërsa territorin e kurdëve e shndërroi në një koloni të
vogël e të shkelur brenda një kolonie të madhe gjithashtu të shkelur e të
shtypur.

Së këndejmi, ristrukturimi i Lindjes së Mesme nuk e parashikoi krijimin e
shtetit kurd. Megjithatë, ideja dhe vullneti i hekurt i këtij populli për të
pasur një shtet sovran asnjëherë nuk u shua. Që nga ajo kohë e deri më sot, kurdët
kurrë nuk pranë së kërkuari një atdhe që do ta gëzonin. Me gjithë që shumë herë
bënë gabime të pafalshme politike, duke manovruar gabimisht e gjithnjë duke qenë
viktima të pazareve politike e ndërkombëtare, kurdët nuk u pajtuan me
realitetin e tyre të hidhur. Në të gjitha marrëveshjet që u arritën pas traktatit
Sykes-Pikot, filluar prej vitit 1916 e deri në vitin 1938,  shtetet e rajonit rrallë herë u ftuan në
konsulta, dhe atë sa për sy e faqe, por asnjëherë kurdët. Përjashtim bëjnë
Turqia dhe Irani që kishin arritur të konsolidonin radhët dhe të bëheshin
faktorë, ani pse jo të rëndësishëm sa ishin Fuqitë e mëdha.

Kështu, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në fund të saj, u përgatitën platforma
diplomatike dhe u morën vendime shumë të mëdha. Përpjekjet e kurdëve për ndonjë
shtet eventual, ose pengoheshin me mjete diplomatike, ose shtypeshin me dhunë.
Shembull i parë ishte rasti i Sheik Mahmut Berzencit, i cili zhvilloi luftë
kundër ushtrisë britanike për të drejtat kombëtare të kurdëve, por ai u dënua
nga vetë Anglia në 1919 dhe u internua në Indi, që edhe India ishte koloni britaneze.

Është një pyetje me rëndësi të parashtrohet
këtu: Përse kurdët, për dallim nga të tjerët, nuk arritën të krijojnë një shtet,
në kohën kur u vendosën kufijtë rastësorë në Lindje të Mesme?

Ka shumë përgjigje. Sidoqoftë, më kryesorja dhe
më e qëndrueshmja është se vetë Fuqitë e Mëdha nuk dëshiruan krijimin e këtij
shteti Në krye të këtyre fuqive, qëndronte Britania e cila konsiderohet
kundërshtarja më e fuqishme e krijimit të Kurdistanit të pavarur. Dhe, përkundër
asaj që mund të thuhet edhe ndryshe nëpër disa qarqe, sidomos në Lindje të
Mesme, britanikët ishin ata që nuk i dhanë mbështetje kryengritjes kurde për pavarësi
pas Luftës së Parë Botërore. Nga dokumentet arkivore britanike të cilat flasin
mbi ngjarjet e asaj kohe, vërehet qartë se Londra zyrtare nuk dha pëlqimin për
krijimin e një shteti kurd. Gjë që, edhe pse Britania nuk ishte e vetmja, sepse
ishin edhe tri të tjera, Britania ishte kryesorja.

As në Traktatin e Sevres (1920), kurdëve nuk
iu premtua decidivisht shtet i pavarur. Teksti i Marrëveshjes që ishte nënshkruar
në Traktatin e Serves, sidomos nenet 62 dhe 64, flasin kështu: “Përgjatë një
viti pasi të hyjë në fuqi ky Traktat, kurdët që jetojnë të rajonet e përmendura
sipas nenit 62, nëse vërtetohet se shumica e popullatës donë të jenë të pavarur
nga Turqia, nëse pastaj i drejtohen Lidhjes së Kombeve, dhe nëse Lidhja e
Kombeve e vërteton se kjo popullatë është e aftë për pavarësi, pastaj, nëse
Turqia e njeh dhe më pastaj heqë dorë nga aty, Turqia, që nga tani është e
obliguar që në përputhje me këtë rekomandim, të heqë dorë nga të gjitha të
drejtat dhe atributet tjera të saj mbi këto territore”.

Këto kushte e rekomandime të filluara me kaq
shumë “nëse”, as nuk ishin të çiltra e as të mundshme për tu
realizuar përgjatë vetëm një viti. Ç’është e vërteta, shtetet fitimtare që
ishin ulur në tryezën e Traktatit të Serves, nuk dhanë asnjë premtim për
krijimin e shtetit të kurdëve. Me gjithë që mbi harta viheshin disa kufij
artificial, kjo nuk ishte më shumë se sa një taktikë diplomatike shpërqendrimi.

Shtrohet pyetja: Përse Fuqitë e Mëdha që dolën
fitimtare nga Lufta e Parë Botërore nuk donin një Kurdistan?

Ja disa arsye. E para është se tokat të cilat
i kërkonin kurdët, ishin po ato që i kërkonin edhe armenët. Lobi armen në SHBA q[
ishte i fuqishëm, vazhdimisht kishte bërë presion mbi qeverinë amerikane që pas
luftës, Armenia të shtrihej edhe mbi disa regjione të Anadollit. Por kjo, nuk
ishte arsyeja e vetme e as kryesore. Sepse, tek e fundit, kurdët mund të
merreshin vesh me armenët dhe të ndanin mes vete tokat e Anadollit.

Sipas mendimit tonë, arsyeja kryesore për
moslejimin e atëhershëm të krijimit të një shteti të pavarur kurd, fshihej në
pjesën e fundit të nenit 64 të Traktatit të Sevres që ishte anashkaluar
tërësisht. Sipas asaj që shkruhet në fund të nenit 64, nëse krijohen kushtet e
nevojshme për themelimin e Kurdistanit, provinca e Mosulit (Irak) që ishte nën menaxhimin
anglez, lehtë mund t’i ngjitej Kurdistanit. Po të dëshironin anglezët që
Kurdistani të themelohej, askush nuk kishte fuqinë ta pengonte. Do të mjaftonte
vetëm një fjali e anglezëve se janë për Kurdistanin që do të përfshinte e
Mosulin, dhe kjo lehtë do të bëhej. Anglia e kishte këtë fuqi dhe lehtë mund ta
zbatonte. E vërteta është se Anglia ishte përcaktuar për krijimin e një Iraku
të pasur me naftë, me Mosulin pjesë e tij dhe nën menaxhim total të anglezëve.  

Një shkak tjetër që pengoi themelimin e
Kurdistanit ishte edhe suksesi i Lëvizjes Kemaliste në Anadoll. Kjo lëvizje kishte
arrit t’i tërhiqte në radhët e veta shumicën e popullatës kurde. Është e
dokumentuar se turqit kishin arritur të korrnin suksese në propagandën e tyre
kundër anglezëve në Mosul e rrethinë por këtë nuk e bënin në tokat e Anadollit.
Kështu, njësitë anti-britanike të organizuara në Mosul nga Komandanti i Forcave
të Milicisë në Antep, Ozdemir Bej, kishin shqetësuar tejmase britanikët.

Dhe, kështu, për ta njohur më mirë gjendjen e
tanishme të kurdëve dhe të rajonit, është e nevojshme të përmendi këtu edhe dy
fakte tjera që ndërlidhen me Luftën e Parë Botërore:

Shtrohet pyetja: A është edhe më tutje valide
Marrëveshja Sykes-Picot e vitit 1916?

Një. Personalisht mendoj se kjo marrëveshje e
fshehtë kishte skaduar pas Luftës së Dytë Botërore. Problemet me të cilat
ballafaqohej Britania në Irak pas pavarësisë së vitit 1932, Franca ballafaqohej
me të njëjtat probleme në Siri në vitin 1940. Iraku u pavarësua në letër në
1932, ndërsa Siria në vitin 1946. Në të dyja këto vende, forcat nacionaliste
arabe u krijonin probleme serioze këtyre dy shteteve kolonialiste. Pra, Iraku,
Siria dhe Libani janë produkte të ndarjes së Lindjes së Mesme sipas
Marrëveshjes Sykes-Picot.

Me kalimin e kohës, për shkak të dinamikave
të brendshme që zhvilloheshin në këto tri shtete, shihej qartë se punët nuk po
shkonin gjithnjë sipas dëshirave dhe interesave të Francës dhe Anglisë. Për më
tepër, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara filluan të
interesoheshin për Lindjen e Mesme. Për realizimin e interesave ekonomike,
strategjike dhe nacionale, Amerika i dha krahun Arabisë Saudite, e bëri lodër
dhe aleate të saj. Dhe kështu, SHBA-të tani e tutje do të bëheshin pjesëmarrëse
e fuqishme, mbase kryesorja në ndarjen e tortës së pasur të Lindjes së Mesme. Andaj
them se Marrëveshja Sykes-Picot më nuk është funksionale.

Dy. Mendimi se nacionalizmi kurd ka
kontribuar në rrëzimin e Perandorisë Osmane, rrjedh nga një vështrim i
gabueshëm i historisë. Lëvizja nacionaliste kurde, e cila dëshironte një shtet
të pavarur ose autonom, mori hov dhe u bë populliste me rënien e Perandorisë
Osmane. Kështu kishte ndodhur edhe me shqiptarët, të cilët, edhe kur po bëhej
fjalë për pavarësinë e Shqipërisë, kishte zëra që flisnin se Shqipëria duhej të
mbetej në një lidhje specifike me Perandorin Osmane. Me fjalë të tjera,
nacionalizmi kurd nuk ishte shkaku i rënies së Perandorisë Osmane, por ishte
pasojë e saj. Nga këtu edhe lind spekulimi i mundshëm se ideja për një
Kurdistan të pavarur kurrë nuk do të merrte hov nëse nuk do të shpërbëhej
Perandoria Osmane.

A ekziston sot ndonjë mundësi për një shtet
të pavarur kurd?

Perandoria Osmane nuk ekziston më. Në veri të
Irakut është krijuar njëfarë formacioni shtetërorë kurd, që deri në vitin 2017
kur u shpallë referendumi, nuk është as shtet, as jo-shtet. Megjithatë, në veri
të Irakut kurdët janë shumicë ndërsa resurset kryesore të Irakut janë ne veri
dhe menaxhohen nga kurdët. De fakto, mund të thuhet se në Irak ekziston një
shtet kurd. Bile, atje ekziston një forcë mbrojtëse më e madhe se peshmergët, e
ajo është ideja që nuk vdes kurrë për një shtet kurd të pavarur.

Të mos harrojmë, formacioni shtetëror siç
është ky i kurdëve në veriut të Irakut mund të zhbëhet shpejt, mbase veç ka
filluar, nëse Fuqitë e Mëdha nuk i mbështesin seriozisht kurdët për një shtet
të pavarur me karakteristikat e nevojshme të një shteti sovran, sikur të gjitha
shtetet.

Problemet që i kanë sjellë dy strukturat
kinse shtetërore islamiste, si Shteti Islamik i Irakut, dhe ai i ISIS-it në Siri,
vazhdimisht kanë reflektuar njëfarë frike, por edhe një nevojë për një fuqi
tjetër e cila do t’i sfidonte këto dy organizma si-shtetërorë të rrezikshëm për
rajonin dhe për interesat ndërkombëtare.  

Sidoqoftë, u pa edhe kohëve të fundit, se
tani më gjendja në Lindje të Mesme ka ndryshuar. Krijimi i një Kurdistani është
bërë edhe më vështirë. Rusia më nuk është ajo e para 20 vjetëve, sikur që,
Turqia, nga e saj ka arritur të shtrijë ndikimin e saj edhe atje ku para dy
dekadave as që mund të flitej. Turqia atje, po shtrihet edhe me ushtri, e kjo
bërë të mendohet se interesimi i saj për rajonin do të jetë edhe më insistues
dhe afatgjatë.

E për fund, t’i kthehemi edhe një herë
“Lemzës së Churchillit”. Tani për tani, kurdëve të Sirisë, Irakut,
Turqisë e mbase edhe të Iranit u ka mbetur që të shpresojnë në ndonjë lemzë
eventuale të Donald Trump, në bazë të së cilës, edhe një herë mund të vizatohen
kufijtë e ri, shkel e shko të Lindjes së Mesme. Siç po shihet, shanca reale nuk
ka. Aq më tepër, tërheqja e forcave të armatosura të SHBA-ve nga veriu i
Sirisë, për kurdët qe një goditje e madhe, kësaj radhe, shumë më e madhe se që
pësuan teksa i mashtruan me referendumin për pavarësi nga Iraku në vitit 2017.

(VAZHDON)

Në shkrimin e ardhshëm dhe të fundit: Si do të veprohet me kurdët, dhe çka do të bëjnë kurdët pas hyrjes së ushtrisë turke në Veri të Sirisë, dhe tërheqjes përfundimtare të ushtrisë Amerikane nga atje?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re