VALENTINA MADANI/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i dërgoi dje një shkresë ish-kryeministrit Sali Berisha, ku njoftohet për masën e sigurisë.

Shkresa është administruar nga Protokolli i Kuvendit më 14 nëntor 2023, për shkak se Berisha është deputet.

“Në zbatim të urdhërimit të gjykatës për komunikimin e vendimit Nr.117 datë 26.10.2023 bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin me Nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që i përket shtetasit Sali Berisha me objekt: Marrjen në pyetje të personit nën hetim me qëllim marrjen dijeni nga ana juaj”, – thuhet në shkresën e GJKKO.

Por, lideri i opozitës Sali Berisha sqaroi se nuk do të pranojë të marrë në dorëzim vendimin e gjykatës për masën e sigurisë të vendosur ndaj tij. Para gazetarëve ish-kryeministri Sali Berisha përsëriti se gjykata për të vendosur kufizimin e lirisë së tij duhet të merrte më parë autorizimin nga Parlamenti, ndaj ai nuk do të pranojë një vendim që është dhënë në shkelje të Kushtetutës dhe nuk do të paraqitet të hënën e 20 nëntorit para Policisë Gjyqësore.

Berisha artikuloi akuza të ashpra ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke theksuar se ajo është shkarkuar për korrupsion në vitin 1996, kur ai në cilësinë e Presidentit të Republikës drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Ajo nuk është asgjë tjetër veçse një skllave mjerane në shërbim të Edi Ramës. Dhe unë për çdo skllav, kam mëshirë”, – deklaroi Berisha.

Por lideri i opozitës, Sali Berisha, replikoi në distancë edhe me Kryeministrin Edi Rama për rolin e Bashkisë së Tiranës në kthimin e kompleksit “Partizani” në truall ndërtimi. Berisha përmendi vendimin e Këshillit të Territorit të Bashkisë Tiranë në qershorin e vitit 2006, i cili ktheu një pjesë të kompleksit “Partizani” në zonën ku lejohej ndërtimi i pallateve.

“Pjesa tjetër, çfarë bëri Edi Rama? Për pjesën tjetër, ia kishte vënë syrin ose e paguanin, mori një studio zvicerane, ‘UrboPlan’ dhe ajo bëri masterplanin e kësaj zone. Studio bënte masterplanin, Shalsi, i cili ka humbur vetëm në martesën e parë tetë apartamente pas divorcit, është e njohur, dhe e meritonte t’i humbiste plotësisht se asnjë nuk e kishte me djersë – Shalsi bënte dëgjesat. Dhe Edi Rama e la në këtë studim të gjithë zonën, zonë urbane”, – deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri Berisha sqaroi se ndryshimi i ligjit për sportin e kthente pronën te pronarët, por pa ndryshuar destinacion.

“Çfarë thotë ligji i ndryshuar? Neni 31§2 pas ndryshimit: ‘Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, ose në të kundërt, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 ‘Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë’, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni. Për të gjithë ata që dinë gjuhën shqipe, kuptojmë në fjalinë e parë, ndryshimi u ka mundësuar pronarëve të truallit të qindra terreneve sportive të mos përjashtohen nga e drejta e privatizimit dhe të ushtrojnë të drejtën e parablerjes sipas të gjithë ligjeve nga qeveri të majta dhe të djathta”, – theksoi Sali Berisha.

Kreu demokrat akuzoi gjyqtaren Irena Gjoka për aferë korruptive, të cilën e cilëson turpi i drejtësisë. Berisha tha se asokohe ajo nuk pranoi duke u thënë avokatëve se nuk i kanë sjellë prova që është shkarkuar “Gjykatësja, turpi i drejtësisë, nuk duhet të fshihet prapa krimit të saj, por duhet të deklarojë në emër të detyrimit ligjor nësë është shkarkuar apo jo nga Sali Berisha në 1996, për shkelje të rëndë ligji dhe korrupsion. Të dalë dhe të deklarojë. Turpi i njeriut. U tha avokatëve se nuk më sollët prova që unë jam shkarkuar. Nuk ka ndërgjegje ajo. Arkivë në ndërgjegjen e saj nuk ekziston. Tani mbahet me premtim që i ka dhënë Ramës për masën që ka marrë. Gjitha jetën time ata që kanë punuar me mua, porosia më konstante që u kam dhënë ka qenë mos të pranojnë urdhra kundër ligjit. Një qenie që fshihet prapa krimit të saj dhe shkelmon kushtetutën, nuk e pranoj kurrë një gjë të tillë. Ajo s’është asgjë tjetër veçse një skllave mjerane në shërbim të Edi Ramës”, theksoi Berisha.

Ai ka bindjen e plotë se Edi Rama qëndron pas masave të sigurisë së përcaktuara nga SPAK ndaj tij, në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Ndërsa e cilësoi si të burgosur politik dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin, i cili është lënë në burg po për të njëjtën çështje, Berisha thekson se kjo masë ndaj tij është marrë për shkak se “Malltezi është ndër të parët që ka denoncuar në debate televizive aferat e inceneratorëve dhe thjeshtrën e Ramës për vjedhjet në kundërshtim më Kushtetutën”.

“Edi Rama provoi se ai personalisht qëndron mbrapa burgosjes politike të Jamarbër Malltezit, sepse ky i fundit me guxim ka denoncuar ndër më të parët në emër të mbrojtjes së interesit publik, pallatin pesëkatësh të familjes së tij, të ndërtuar në mes të sheshit të pallateve, pa asnjë faturë tatimore, bankare, doganore apo ndërtimore, por vetëm në mënyrë korruptive, mafioze, apo me para gjaku, siç deklaronte Linda Rama”, – u shpreh Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re