GJKKO ka marrë vendimin për shtyrjen e seancës gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku nën hetim janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ku pritet të përcaktohet fati i këtij procesi.
Togat e zeza vendosën të marrë kohë shtesë dhe ta bëjnë publik vendimin më 23 prill në orën 13:00.
Kjo për shkak se avokatët mbrojtës të personave nën hetim kanë kërkuar pavlefshmërinë e akteve të dosjes dhe pushimin e çështjes penale, duke argumentuar se nuk ekzistojnë elementë të veprës penale.
Sipas tyre, aktet e ekspertimit janë të pavlefshme pasi janë kryer nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe jo nga ekspertë të specializuar, siç parashikon ligji.
Gjithashtu, mbrojtja ka kundërshtuar provat lidhur me ndryshimin e destinacionit të kompleksit sportiv “Partizani”, duke theksuar se ky vendim është marrë nga Edi Ramës dhe jo nga Berisha. Në këtë kontekst, avokatët kanë ngritur pikëpyetje pse Rama nuk është pyetur në lidhje me këtë çështje.
Tre janë opsionet që gjykata po shqyrton: pranimi i kërkesës së Prokurorisë për ta çuar çështjen në gjykim, kthimi i dosjes për hetime të mëtejshme, ose pranimi i kërkesës së mbrojtjes për pushimin përfundimtar të çështjes.