Shtyhet seanca për “Dosjen Partizani”. Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 13 tetor.
Gazetari Ervin Leka, tha për ABC News, se avokatët kanë kërkuar pavlefshmëri të akteve hetimore.
Avokati Sokol Hazizaj ka deklaruar se provat sipas tij duhet të konsiderohen të pavlefshme, po ashtu edhe procesverbalet për sekuestrimin e materialeve dhe kompjuterit në studio “Pustina”.
Sokol Hazizaj, avokati i Fatmir Bektashit dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan” theksoi: “Ky proces ka dy shtylla, një shtyllë është e karakterit politik duke qenë se kallëzimi është bërë nga një subjekt politik dhe është kallëzuar po një subjekt politik. Duke qenë se unë përfaqësoj “Homeplan” unë kërkoj pavlefshmëri të akteve. Të gjitha provat kërkoj të konsiderohen të pavlefshme, si dhe procesverbalet për sekuestrimin e materialeve dhe kompjuterit në studio Pustina. Kërkoj pavlefshmëri për disa nga akt ekspertimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme”.
Për Fatmir Bektashin, avokati Sokol Hazizaj u shpreh se nuk është bërë identifikimi i provave të Bektashit, ndryshe nga Homeplan.
“Të njëjtat prova janë instaluar edhe ndaj Bektashit dhe ndaj Homeplan. Nëse gjykata i pranon këto dokumente, atëherë i bie që të pandehur të jenë të gjithë ata që kanë blerë prona të “Homeplan”. Si mund të çmohen prova kur nuk janë ndarë për secilin subjekt dhe kur nuk janë individualizuar. Ky lloj teatri ka tre komponentë, e kuptoj rolin e gjykatës për t’i dhënë solemnitetin e të gjykuarit si dhe rolin e prokurorisë për ti dhënë vetes një rol serioz, por nuk kam kuptuar asnjëherë, reshtin e të pandehurve, përshembull Fatmir Bektashin edhe si subjekt edhe si Homeplan. Kërkoi nga gjykata vlerësim serioz në kuptimin e papërdorshmërisë dhe papërdorshmërisë të të gjitha provave”, ka thënë më tej avokati Hazizaj.
Edhe avokatja e Andia Pustina, ka theksuar se kërkojnë pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas saj policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate.
Ndërsa, avokatja e Andia Pustina, Klodjana Gjyzari ka theksuar: Ne kërkojmë pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme, pasi policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është cënuar privatësia në ushtrimin e kontrolleve në zyrën “Pustina”.
