Dosja “Shpirti”, lirohet nga burgu djali i “Dajës së Vlorës”. Gjykata mbyll në shtëpi, Duçkollarin

shp.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Mariglen Duçkollari alias Zaimi, njëri nga personazhet kryesorë të dosjes “Shpirti”, i akuzuar nga prokuroria e posaçme SPAK, për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Trafik droge” në bashkëmbim, është liruar nga burgu.

Vendimi për lirimin nga qelia të Duçkollarit, u mor 5 ditë më parë nga gjykata e posaçme, e cila pas një kërkese të bërë nga avokatët mbrojtës të Duçkollarit, urdhëroi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për njërin nga të pandehurit e dosjes “Shpirti”.

Përfaqësuesit e prokurorisë kanë qënë kundër kërkesës së zëvendësimit të masës së sigurisë ndaj Duçkollarit, por në fund ishte gjykata ajo që vendosi për izolimin në shtëpi të njërit prej të pandehurve të kësaj dosje.

Avokatët mbrojtës pretendojnë se Duçkollari nuk ka qënë i përfshirë në trafikun dhe kultivimin e drogës, ndërsa prokuroria në mbylljen e hetimeve ka ngritur një sërë akuzash të rënda për Mariglen Duçkollarin.

Pritet që në ditët në vijim prokuroria të ankimojë vendimin e ndryshimit të masës së sigurisë, në gjykatën e Apelit, duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Mariglen Duçkollari alias Zaimi, tashmë ndodhet i izoluar në banesën e tij në Vlorë, ndërsa babai i tij, Ilirjan Duçkollari alias “Lani” ose “Daja i Vlorës”, që konsiderohet nga prokuroria si koka i këtij grupimi kriminal, që kryente trafik droge nga Shqipëria në Itali, ndodhet në burg.

Në të njëjtën dosje penale është marë i pandehur dhe Orhan Duçkollari, xhaxhai i Mariglen Duçkollarit si dhe Rexhino Muçaj ose “Xhino” që rezulton të jetë nipi i kreut të këtij grupi, Ilirjan Duçkollarit. Emri i Mariglen Duçkollarit, ka dalë nga dëshmia e njërit prej personave të arrestuar në Bari të Italisë, i cili vendosi të bashkëpunojë dhe tregojë të gjithë aktivitetin kriminal mbi trafikun e drogës që ai kryente në kuadër të organizatës që drejtohej nga familja e Ilirjan Duçkollarit.

Sipas dëshmitarit i përfshirë në këtë veprimtari, nuk ka qënë vetëm Ilirjani, por dhe djali i tij, Marigleni, bashkëshortja, vëllai Orhani dhe disa persona të tjerë. Aktualisht kjo çështje penale ndodhet në fazën fillestare të gjykimit pranë Gjykatës së Posaçme, ku të pandehur janë marë Ilirjan Duçkollari alias Zaimi, Mariglen Duçkollari, Orhan Duçkollari, Robert Myftari,Julian Bejdollari, Piro Bregu, Rexhino Muçaj e persona të tjerë. Veç akuzave për trafik droge në kuadër të grupit kriminal dhe kultivim të lëndëve narkotike, prokuroria e poasaçme ndaj të pandehurve kryesorë të këtij grupi, ka nisur hetim paralel për bllokimin e aseteve financiare të tyre, raporton Ora News.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë