Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda të Tiranës për të mbyllur Saimir Tahirin në arrest shtëpiak, ka krijuar zyrtarisht rastin “Sanader” në Shqipëri.

Një zyrtar i lartë i qeverisë, përkatësisht ish-ministri i Brendshëm për 4 vjet, ndodhet nën një akuzë të rëndë që nëse vërtetohet, dënohet maksimumi 15 vjet burg.

Megjithatë, çështja “Tahiri” ende nuk është e gjykuar dhe ndodhet e paragjykyar nga palët: njëra mendon se faji i ish-ministrit është shumë i madh, e në këtë rast bëhet fjalë për opozitën, dhe pala tjetër, mazhoranca e cila mendon se deri tani nuk ka prova që të mbështesin akuzën e trafikut të narkotikëve.

Po si u ngrit dosja “Tahiri”?

Çelësi i kësaj dosje qëndron tek dëshmia e Dritan Zaganit, ish-kreu i antidrogës së Fierit, i cili sot gjendet në Zvicër ku ka marrë azil politik.

Dritan Zagani i ka dorëzuar një raport konfidencial oficerëve të Guardia Di Finanza-s që punojnë në Shqipëri, ku akuzon Moisiu Habilajn si trafikant të madh kanabisi dhe që bashkëpunon me struktura të policisë së Vlorës.

Zagani theksonte në dëshminë e tij se Saimir Tahiri është njeri i lidhur familjarisht me Habilajt të cilët i ka kushërinj.

Ish-shefi i antidrogës deklaronte gjithashtu se Saimir Tahiri i ka shitur makinën e tij personale Habiljave, e cila sipas tij është përdorur për trafik droge pasi është ende në emrin e ish-ministrit të Brendshëm.

Këtë deklaratë, më pas Dritan Zagani e bëri edhe para kameras në një intrvistë me gazetarin Basir Çollaku. Pas kësaj interviste ndodhen dy gjëra proceduriale dhe disa gjëra politike.

Procedurialisht, Saimir Tahiri i kërkoi Adriatik Llallës, atëherë Kryeprokuror, që ta hetojë me shpejtësi çështjen. Llalla ja delegoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Fier, e cila ka në juridiksion zonën ku vepronte Zagani.

Hapi i dytë procedurial është kërkimi i azilit politik të Zaganit në Zvicër.

Prokuroria e Fierit e kërkoi të dëshmonte, por ky i fundit nuk shkoi dhe u shpall në kërkim.

Pikërisht ky vendim i Prokurorisë së Fierit e komplikoi punën. Pasi Zagani, edhe pse ishte në Zvicër mund të depononte edhe mënyrat janë të ndryshme, që nga vajtja e prokurorëve në Zvicër, por edhe marrja e dëshmisë me video etj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda të Fierit e ka mbyllur më pas hetimin duke e quajtur çështjen “pa elementë penalë”. Pra realisht prokuroria e ka mbyllur pa e hetuar, por thjesht e la dosjen të pahapur, dhe sigurisht me një bela të madhe.

Kështu prokuroria ka kryer shkelje pasi do të duhet të hetonte çështjen deri në fund dhe të prodhonte të pandehur. Por politikisht kjo dosje, edhe pse u mbyll nga vartësit e Adriatik Llallës, u hap me forcën më të madhe.

Partia Demokratike ka denoncuar për 2 vjet të gjithë dëshmitë e Zaganit, historinë e Audit dhe gjithçka. Saimir Tahiri pranoi në një qëndrim publik se i ka kushërinj Habilajt, krejt të larrgët, por vetëm kaq, pasi tha që të flasë drejtësia.

Politikisht, Saimir Tahiri la hapësirë për t’u sulmuar e agresuar. Nga ana tjetër ai nuk dha transparencën e duhur për publikun, apo daç opozitën, që i kërkonte shpjegim.

Mazhoranca, me Edi Ramën të parin e sulmuan Dritan Zaganin si një dezertor dhe natyrisht mbrojtën Tahirin.

Me dëshminë edhe të Zaganit, DIA italiane në bashkëpunim me Prokurorinë e Katanias, arritën të gjurmojnë, hetojnë dhe kapin me presh në duar pas katër vjet hetimesh bandën e Moisi Habilajt.

Vjet në tetor, prokuroria e Katanias çon në gjykatë dosjen e plotë ku shpërthejnë përgjimet dhe ku përmendet një Saimir, ama pa u specifikuar nëse është ajo jo Tahiri, pra ministri. Dhe kjo është pika më delikate e procesit. Sepse në asnjë rast, në përgjime Saimiri nuk është me mbiemër nga pas. Dhe vetë Tahiri madje i ka mëshuar kësaj, duke thënë se bëhet fjalë për një shofer kamioni.

Këtë dosje Adriatik Llalla e merr nga Katania, e përshtat dhe formulon akuzën direkte të “Trafikimit të Lëndëve Narkotike” për ish-ministrin e Brendshëm. Një akuzë e tmerrshme.

Siç dihet, prokurorët kërkuan arrest me burg në Kuvend, e që në fakt është normale për atë akuzë të rëndë.

Por mazhoranca nuk pranoi provat për trafik droge ndaj ministrit, dhe kërkoi nga Prokuroria ta hetojë Tahirin në gjendje të lirë, duke mos i dhënë autorizimin për arrest.

Për 6 muaj, prokuroria deri tani ka bërë vetëm një “hop në hetim”. E ka bashkuar dosjen e trafikut me atë të Orest Sotës, biznesmenit që ju kapën në Elbasan 800 mijë euro, ku në makinë kishte dhe patentat e skafit të Saimir Tahirit.

Edhe pse i bujshëm si rast, procedurialisht nuk lidhen me njëra-tjetrën.

Njeriu kyç i dosjes “Habilaj” ku Saimir Tahiri cilësohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të Tiranës si pjesë e tij, është një dhe vetëm një: Dritan Zagani. Ai duhet të kthehet nga “denoncues dixhital” në “dëshmitar real” në proces. Në fillim në prokurori dhe më pas në gjykatë. Kështu bëhet hetimi.

Prokuroria do të duhet të përballë dëshmitë e Saimir Tahirit dhe Dritan Zaganit pasi kështu është formuar dosja në fjalë. Çdo veprim tjetër është jashtë kontekstit dhe siç dhe deri më sot do të prodhojë dy palë të kundërta: njëra që e konteston, njëra që e përkrah.

Prokuroria si akuzatore nuk po e heton Saimir Tahirin për shpërdorim detyre, por për “trafik droge”.

Nëse do ta akuzonte për të parën, ndoshta do të ishte më e lehtë për të gjetur një element mbështetjejeje, por që në fillim u luajt me barazimin e ministrit të Brendshëm me trafikantin e hashashit.

Kjo duket si lojë bixhozi: o e humb të gjithë, o e fiton të gjithë, e jo një akuzë normale që fillon nga më e provuara për të gjetur elementë rrugës.

Al Kapone, siç e dijnë të gjithë u dënua për evazion fiskal se për atë kishte prova, e më pas si u burgos filluan të tregojnë të gjithë vrasjet e krimet e kryera.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re