Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila dënoi me 5 vite burgim ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dënim i cili konvertohet në 3 vite e 4 muaj shërbim prove. 

Në një shënim në faqen e saj zyrtare ambasada shprehet se dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat.

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.  

Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat.  

Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. 

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.”- shkruan ambasada amerikane në faqen e saj zyrtare. () 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re