Skip to content

Dosja “Veliaj”/ SPAK bën të penduar financieren e Ajola Xoxës, Adela Kondakçiun

Një e penduar, si bashkëpunëtore e drejtësisë, është në dosjen e SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës, më 25 prill 2025 u bë e penduara e Prokurorisë së Posaçme, 2 muaj e gjysmë pasi SPAK kishte arrestuar Erion Veliajn dhe kishte kërkuar masa sigurie për 7 të tjerë.
Adela Kondakçiu ka punuar për një kohë të gjatë, që prej vitit 2018, si financiere e Ajola Xoxës dhe nga fundi ishte hequr nga puna pasi kishte shprehur pakënaqësi për pagesat.
Për herë të parë u mor në pyetje nga SPAK në më 10 dhjetor të 2024-ës, 4 ditë pasi i ishte bërë kontroll personal më 6 dhjetor, kontroll zyre si dhe i ishte sekuestruar celulari.
Që me marrjen në pyetje më 10 dhjetor, Adela Kondakçiu pretendoi se i ishte bërë presion nga tashmë ish-shefja e saj Ajola Xoxa dhe avokatë. Por para se ta merrte si të penduar, SPAK më herët e regjistroi si person në hetim Kondakçiun më 3 prill, e mori në pyetje për disa orë më 9 prill, dhe vetëm 16 ditë më vonë e bëri bashkëpunëtore të drejtësisë.
Duke filluar nga e hënë e kaluar Prokuroria e Posaçme nisi komunikimin e akuzave zyrtare për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, duke njoftuar edhe përfundimin e hetimeve, për të lënë kohë deri më 24 shtator, si datë fundore për të dërguar çështjen në gjykim.
Kryebashkiakut Veliaj iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe futje e sendeve në burg. Gjithsej të pandehur për këtë dosje janë 30 të pandehur, 14 persona dhe 16 kompani, mes të cilëve bashkëshortja e kryebashkiakut Ajola Xoxa, 7 biznesmenë, deputetja Klotilda Bushka, një polic i burgjeve etj.