Olsi Rama është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme  (SPAK) ku është marrë në pyetje për dosjen Xibraka, kallëzim i bërë nga kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi,  i cili pretendon se vëllai i kryeministrit ka qenë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm. 

Pas daljes nga SPAK, Rama u shpreh se nuk ka asnjë lidhje dhe se mjetin e kishte marrë për të shkuar në Selanik.

“Nuk kam asnjë çerek lidhje. Ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti, ia kam marrë automjetin një personi në atë kohë për të bërë një udhëtim dyditor në Selanik. S’kam lidhje fare me personat që përmendni, vetëm një person njoh”, tha ai.

“Kurdo që të jetë nevoja”, tha Rama kur u pyet për nëse do të paraqitet nëse do të thirret në sërish Prokurorinë e Posaçme, ndërsa shtoi se “Unë  e kam bërë kallëzimin sepse e kam cilësuar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe”.

Kujtojmë se Gazment Bardhi ka denoncuar Olsi Ramën, si të përfshirë në çështjen e organizatës kriminale të Xibrakës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka publikuar disa dokumente të prokurorisë, ku përfshirja e Olsi Ramës sipas tij është lënë pa emër, por sipas tij është identifikuar makina që ai përdor.

Sipas Gazment Bardhit “Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.

Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal). E ndërsa tre të tjerët janë identifikuar nga Policia, duke përshkruar edhe automjetet me të cilët kanë lëvizur gjatë takimit me grupin kriminal në bazën e tyre në Tiranë, 45 vjecari, përdorues i automjetit me targa AA653DM nuk është identifikuar me emër.

Pra, policia dhe prokuroria, i vendosin në dosje moshën fikse të personit, por jo emrin! “Pak kohë më parë, bëra të njohur faktin se disponoj prova që e lidhin Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit të Shqipërisë, me organizatën kriminale të trafikimit të drogës në Xibrakë, organizatë kjo e zbuluar 10 vite më parë nga organet ligjzbatuese gjermane.

Këto prova faktojnë se Shqipëria nuk udhëhiqet nga një qeveri demokratike, por sundohet nga një kryeministër i marrë peng nga organizatat kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ky është cilësimi më i butë që munda të bëja për Edi Ramën. Sepse faktet që do të prezatoj sot mund ta bëjnë bashkëpunëtor apo në aleancë me këto organizata të krimit të organizuar. Çështja “Xibraka” është modeli i rënies së shtetit dhe i ngritjes së krimit. Ishte laboratori i parë i kokainës që zbulohej në Shqipëri vetëm 1 vit pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës“.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re