Dilemat më të mëdha për shërbimet nëpërmjet kompjuterit do t’i kenë pensionistët, të cilët do të duhet të aplikojnë dhe dorëzojnë dokumentet online, për dosjen e tyre të pensionit.

 

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado në një intervistë për Vizon Plus, thotë se përtej kësaj dileme, barrën kryesore për plotësimin e dosjeve do ta kenë nëpunësit.

 

“Me këto shërbime ne nuk bëjmë gjë tjetër por zhvendosim barrën e punës nga qytetari tek nënpunësit. Qyteti do të duhet vetëm të bëjë aplikimin dhe të dorëzojë librezën e punës, diplomat që mund të ketë si dhe dokumenta të para vitit ‘94 që aktualisht nuk gjendjen në zyrat e shtetit.” – thotë Hado

 

Por çfarë ndodh nëse aplikimi nuk është i saktë apo i paplotë?

 

“Në çdo rast ai do të marrë një përgjigje nga portali e-Albania dhe do të vihet në dijeni se çfarë dokumentash mungojnë dhe më pas do të duhet të riaplikojë sërish.”

 

Në të gjithë këtë proces, nuk do të mungojnë dhe komunikimi me email apo telefon.

 

“Pra nuk ka më sportele fizike, por punonjësit do të jenë aty për të kthyer çdo përgjigje me çdo lloj forme komunikimi online apo telefonik.”

 

Një nga avantazhet e kësaj reforme është fakti se qytetarit nuk do t’i kërkohen dokumente shtesë, pasi kjo do të jetë detyrë e institucionit.

 

“Pra nëse sigurimet deri dje kërkonin një dokument për të plotësuar një dosje, tashmë do të jenë punonjësit që do ta gjejnë në komunikimin me zyrat përkatëse për qytetarin.”

 

Revolucioni digjital, siç e quan kryeministri është një nga sfidat që do të krijojë paqartësi dhe pamundësi për shumë qytetarë, të cilët do t’i kërkojnë këto shërbime në zyrat e konsulencës me pagesë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re