Konsensusi mes partisë socialiste dhe Enkelejd Alibeajt për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit zgjati vetëm pak ditë dhe sot palët u rikthyen në llogoret e tyre politike. Socialistet pranuan propozimin për deklasifikimin e dosjeve, por i rrëzuan Alibeajt kërkesën që çdokush të ketë akses në dokumentet e ish-sigurimit të shtetit. Mazhoranca mbështeti  garancitë që ligji për dosjet jep aktualisht, që secili qytetar që ka vuajtur në periudhën e regjimit komunist të ketë të drejtë të marrë dosjen e vet.

 

ENKELEJD ALIBEAJ

DEPUTET, PD

“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji çdo institucion ka detyrim të publikojë bibliografinë e dokumenteve të shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991 të deklasifikuara plotësisht. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për informimin.”

 

 

PANDELI MAJKO

DEPUTET, PS

 

“Ne themi duhet të jemi pak më të rezervuar. Ta lëmë hapjen e dosjes si marrëdhënie mes viktimës dhe dosjes së tij. Ju doni që dosja të bëhet si Facebook. Mos insistoni kaq shumë për t’i futur një bojë të djathtës që e keni bërë fërtele. Ka pasur sigurim shteti në 29 nëntor? Ka në dosje detaje që edhe vetë viktima nuk është i interesuar. Janë bërë spiunë njerëz që kanë qenë të përndjekur. Nuk më takon mua ta them këtë duhet ta thoni ju. Na vjen këtu diskuton si adoleshent.”

 

 

 

Enkelejd Alibeaj:Mbron ish të përndjekurit,  ti je kokrra e komunistit.

Pas rrëzimit të propozimit, Alibeaj së bashku me deputetët demokratë u larguan nga mbledhja

Mazhoranca miratoi e vetme ndryshimet në ligjin për autoritetin e dosjeve duke i dhënë mundësi këtij autoriteti te verifikoje edhe njëherë të gjithë politikanët që janë kontrolluar për lidhjet me ish-sigurimin e shtetit nga komisionet Mezini dhe Bezhani

 

Kërkesa për ndryshimin e ligjit erdhi nga vetë autoriteti për hapjen e dosjeve, i cili në fundin e muajit korrik I kërkoi parlamentit të drejtën ligjore për të verifikuar edhe njëherë politikanët që në vitet 90 kanë marrë një certifikatë pastërtie në lidhje me sigurimin e shtetit, pasi kishin gjetur dokumente që tregonin se ish-presidenti I republikës Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor.

 

Vetë Meta i hodhi poshtë akuzat dhe ngriti padi kundër autoritetit. Por ndërsa beteja mes ish-presidentit Meta dhe autoritetit vazhdon në gjykatë, të enjten parlamenti do ti japë të drejtë autoritetit të verifikojë pa asnjë pengesë të gjithë politikanet nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re