Skip to content

Dosjet, “ping-pong” në Gjykata

Reforma në drejtësi ka shkaktuar jo pak probleme në sistemin gjyqësor madje dhe në dosje apo ngjarje të provuara për të cilat pritet një vendim sa më i shpejtë.

 

E tillë është vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi në gusht të një viti më parë, ndërsa procesi gjyqësor në ngarkim të ish-bashkëshortit vrasës Fadil Kasemi është kthyer në një lojë ping pongu. Nga Gjykata e Krimeve të Rënda te ajo e Tiranës dhe së fundmi në Gjykatën e Lartë.

 

Fillimisht vrasja kaloi tek Krimet e Rënda, por me reformën në drejtësi dhe vendimin e Gjykatës së Lartë,  Gjykata e Krimeve të Rënda u kthye në strukturën e posaçme antikorrupsion ndërsa të gjitha dosjet që ajo shqyrtonte filluan t’i çoheshin rretheve përkatëse.

 

Ndryshimit nuk i shpëtoi vrasja e gjyqtares ku dosja i shkoi për kompetencë dhomës penale të Gjykatës së Tiranës.

 

Gjithçka pritej të niste rregullisht në seancën e kësaj të marte, por edhe Gjykata e Tiranës është konfuze për kompetencat, ndërsa vendosi që ta dërgoje për interpretim në Gjykatën e Lartë.

 

Gjykata e Lartë pritet të vendosë se kujt i takon kompetenca e shqyrtimit, por edhe këtu vrasja e nënës së dy fëmijëve nuk mund të marrë zgjidhje, kjo pasi Kolegji Penal në Gjykatën e Lartë nuk funksionon.