Mira Rakacolli, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ka shpjeguar se çdo të ndodhë me rekomandimin e Akademisë së Shkencave për bërjen e një doze të tretë tek personat mbi 60 vjeç apo për vaksinimin e fëmijëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Rakacolli tha se vendimi për dozat e treta do të merret nga Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit.

“Vendimi për bërjen e vaksinës jepet nga Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit, i cili është një komitet permanent pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe merr vendimet për të gjitha llojet e vaksinave.

Deri tani nuk ka prezantuar vendim të tillë. Bërja e dozës së tretë dhe vaksinimi i fëmijëve është një rekomandim që po bëhet në të gjitha vendet e botës, por ka edhe argumente për të mos ta bërë. Janë disa vendime të kujdesshme që duhen marrë nga ekspertë të fushës…”

Gjithashtu, Rakacolli sqaroi se studimi i realizuar nga Akademia e Shkencave bazohej në gjendjen e antitrupave në popullsi, dhe ishte rekomandim, jo konkluzion.

“Studimi i ishte një studim që bazohej në seroprevalencën pra, për gjendjen e antitrupave në popullsi, pra nuk është një konkluzion. Është një rekomandim, por jo konkluzion në atë studim që është paraqitur, ”-shpjegoi Rakacolli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re