• Sëmundjet e gjëndrave të pështymës ndodhin kur një proces patologjik bllokon një ose disa prej gjëndrave, duke penguar kështu sekretimin normal të pështymës.
  • Kushtet patologjike që mund të shkaktojnë probleme me gjëndrat e pështymës përfshijnë infeksionet, gurët që formohen në gjëndra, sindromin Sjögren dhe tumoret.
  • Simptomat e sëmundjeve të gjëndrave të pështymës kryesisht janë dhimbje, ënjtje në vendin ku projektohen gjendra, temperaturë etj.

Çfarë janë gjendrat e pështymës? 

Gjëndrat e pështymës janë organe përgjegjëse për formimin e pështymës e cila ndihmon në mbajtjen e lagësht të gojës, në mbrojtjen e dhëmbëve nga prishja e shpejtë dhe në tretjen e ushqimit.

Gjëndra më e madhe e pështymës është gjëndra parotide e cila ndodhet mbi këndin  e nofullës, përpara veshit. Gjëndrat e tjera kryesore të pështymës janë gjëndra submandibulare dhe gjëndra sublinguale. Ekzistojnë gjithashtu një sërë gjëndrash të tjera pështyme shumë të vogla të përhapura pothuajse në tërë gojën (për shembull në qiellzë).

Cilat janë sëmundjet që prekin më shpesh gjendrat e pështymës?

 Sialolitiaza dhe sialadeniti

Sialolitiaza ndodh kur gurët e përbërë nga kalciumi formohen në gjëndrat e pështymës. Këta gurë mund të bllokojnë gjëndrat dhe kjo mund të ndalojë pjesërisht ose plotësisht sekretimin e pështymës. Siptomat lidhen me dhimbje në regjionin poshtë gjuhës dhe dhimbje e shtuar gjatë ngrënies.

Sialadeniti (ose sialoadeniti) është një infeksion që prek një gjëndër të pështymës. Bakteret stafiloke ose streptokoke akuzohen të jenë përgjegjëse për këtë infeksion. Të moshuarit dhe fëmijët kanë më shumë gjasa të zhvillojnë këtë gjendje patologjike. Simptomat lidhen me enjtje në regjonin ku projektohet gjendra, shije dhe aromë e keqe (pusi) në gojë, temperaturë. Sialadeniti mund të komplikohet deri në abces të gjendrës së prekur (kryesisht submandibulare) .

Sindroma Sjögren

Sindroma Sjögren është një tjetër çrregullim i shpeshtë autoimun i gjëndrave të pështymës. Ndodh kur qelizat e bardha të gjakut sulmojnë qelizat e shëndetshme në gjëndrat gjëndrat e pështymës, djersës dhe yndyrës; duke i konsideruar ato të huaja. Kjo gjendje prek më së shpeshti femrat me çrregullime të tjera autoimune, si lupus, artriti reumatoid etj. Simptomat më të shpeshta janë goja e thatë, sytë e thatë, prishje e dhëmbëve, plagë në gojë, dhimbje ose ënjtje të kyçeve, kollë e thatë, lodhje e pashpjegueshme, ënjtje e gjëndrave të pështymës, infeksione të përsëritura të gjëndrave.

Viruset

Gjendja virale mund të prekë edhe gjëndrat e pështymës. Infeksionet virale më të shpeshta janë: virusi i gripit, shytat, virusi coxsackie, echovirusi, citomegalovirusi. Infeksioni më i shpeshtë është ai i shytave që prek fëmijët dhe lidhet me simptoma si: temperaturë, ethe, dhimbje e muskujve, dhimbje kyçesh, ënjtje në të dy anët e fytyrës e cila merr pamjen e dardhës, dhimbje koke, etj.

Tumoret beninje dhe malinje

Tumoret beninje që mund të prekin gjëndrat parotide përfshijnë adenomat pleomorfe dhe tumorin Warthin. Adenoma beninje pleomorfe mund të rritet edhe në gjëndrën submandibulare dhe në gjëndrat e vogla të pështymës, por kjo është shumë e rrallë. Këta tumore kanë ecuri të ngadaltë, rriten gradualisht në përmasa derisa mund të arrijnë edhe madhësinë e një portokalli, janë të padhimbshme dhe në 2% të rasteve mund të degjenerojë në kancer.

Tumoret malinje të gjëndrave të pështymës janë të rralla. Adenokarcinoma prek më shumë moshat 50-60 vjec dhe është një tumor agresiv i cili mund të japë metastaza si në afërsi ashtu edhe në distancë.

Nëse vuani nga diabeti apo konsumoni sasi të tepërt të alkoolit, është e shpeshtë të keni ënjtje të gjëndrave të pështymës.

 –  Nëse vëreni ndonjë nga simptomat si: shije e keqe në gojë, gojë e thatë, dhimbje në gojë gjatë ushqyerjes, ënjtje të fytyrës, vështirësi në hapjen e gojës, është e rëndësishme të kontaktoni mjekun tuaj ORL.

Si diagnostikohen sëmundjet e gjendrave të pështymës?

Mjeku juaj ORL do të rekomandojë ekzaminimet e nevojshme bazuar në anamnezën tuaj dhe ekzaminim fizik.  Në disa raste vetëm këto janë të mjaftueshme për të vendosur diagnozën dhe teste të tjera diagnostike nuk janë të nevojshme.

Në rastet e një guri të gjendrave të pështymës, një radiografi apo ekografi e zonës së prekur, mund të kërkohet nga mjeku. Në raste të tjera, kryesisht kur dyshohet për tumor mund të nevojitet plotësimi me skaner apo rezonancë magnetike. Gjithashtu analiza të ndryshme laboratorike mund të duhen kur mjeku juaj dyshon për sëmundje autoimune të gjendrës.

Si trajtohen sëmundjet e gjëndrave të pështymës?

Trajtimi për sëmundjet e gjëndrave të pështymës varet nga lloji i sëmundjes dhe sa i avancuar është. Një masë që nuk shkakton simptoma mund të trajtohet me masa konservative, si shpëlarje të veçanta të gojës apo konsumimi/eleminimi i ushqimeve të caktuara. Në rastet e proceseve inflamatore virale apo sialoadenitit mund të përdoren antiinflamatorë, antibiotikë apo në disa raste mund të nevojitet drenimi kirurgjikal i abcesit. Gurët në gjendrat e pështymës gjithashtu mund të hiqen kirurgjikalisht nën anestezi lokale. Në rastet e një mase tumorale beninje, mjeku- kirurg ORL mund të rekomandojë kirurgji për të hequr masën ose vetë gjëndrën. Nëse masa është kancerogjene, mund të keni nevojë për trajtime shtesë me rrezatim. Këto trajtime zakonisht fillojnë katër deri në gjashtë javë pas interventit.

Përgatiti:

Dr. Klaudia Stajka- mjeke kiruge ORL.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re