Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekshmërisë globale. Në vitin 2019 rreth 17.9 milion njerëz humbën jetën në botë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Identifikimi i personave me risk të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare dhe trajtimi në kohë i tyre mund të kontribuojë në parandalim të vdekjeve të parakohshme. Për më shumë informacion në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, nga se shkaktohen ato dhe cila është mënyra më e mirë për t’i parandaluar  Gazeta “Shëndeti on line” zhvilloi një intervistë me  Dr. Laureta Dibrën mjeke Kaurdiologe, në Q.S.U. “Nënë Tereza”  Tiranë.

Doktoresha, çfarë duhet të kuptojmë me sëmundje kardiovaskulare?

Termi sëmundje kardiovaskulare përgjithësisht përdoret për të përshkruar një numër problemesh që prekin zemrën dhe enët e gjakut.

Ato përfshijnë:

  • sëmundjet e arterieve koronare –sëmundje e eneve të gjakut që furnizojnë muskulin e zemrës me gjak;
  • sëmundjet cerebrovaskulare –sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë trurin me gjak;
  • sëmundjet e arterieve periferike –sëmundje e eneve të gjakut që furnizojnë krahët dhe këmbët;
  • sëmundjen reumatizmale të zemrës – dëmtim i muskulit të zemrës dhe valvulave nga ethet reumatizmale, e shkaktuar nga bakteri I streptokokut;
  • sëmundjet kongenitale të zemrës – defektet e lindura që prekin zhvillimin normal dhe funksional të zemrës të shkaktuar nga keqformime të strukturës së zemrës që në lindje
  • trombozën e venave të thella dhe embolizmin pulmonar – mpiksje e gjakut në venat e këmbëve, të cilat mund të zhvendosen në zemër dhe mushkëri.

Ataku kardiak dhe insulti cerebral zakonisht janë ngjarje akute dhe shkaktohen kryesisht nga një bllokim që ndalon rrjedhjën e gjakut  në zemër apo tru.

Shkaku më i zakonshëm i këtij bllokimi është depozitimi i yndyrnave përgjatë mureve të arterieve që furnizojnë zemrën ose trurin. Insulti mund të shkaktohet gjithashtu edhe nga gjakërrjedhja nga një enë gjaku në tru ose nga mpiksja e gjakut.

Nga se shkaktohen këto sëmundje?

Faktorët më të rëndësishëm të sëmundjeve të zemrës dhe insultit që lidhen me mënyrën e të jetuarit janë: dieta e pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i cigares dhe konsumi i alkoolit. Efektet e faktorëve të riskut që lidhen me mënyrën e të jetuarit mund të shfaqen në individë të ndryshëm në formën e rritjes të presionit arterial, rritje të nivelit të sheqerit dhe yndyrnave në gjak, mbipeshë dhe obezitet. Ekzistojnë gjithashtu edhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në sëmundjet kardiovaskulare. Këta faktorë reflektojnë ndikimin e ndryshimeve sociale, ekonomike dhe kulturore- globalizimin urbanizimin dhe moshimin e popullsisë.

 Cilat janë disa nga shenjat paraprake të sëmundjes që preken enët e gjakut?

Shpesh nuk shfaqen shenja paraprake të sëmundjes që preken enët e gjakut. Ataku kardiak apo insulti cerebral mund të jenë shenja e parë e shfaqjes së sëmundjes. Simptomat e atakut kardiak përfshijnë: dhimbje apo ndjenjë shqetesimi në qendër të kraharorit e shoqëruar ose jo me dhimbje apo ndjenjë shqetësimi në krahë, shpatullën e majtë, shpinë apo nofulla.

Gjithashtu, një person mund të ketë mbajtje fryme, të perziera, të vjella, ndjesi të fikti, djersë, zbehje apo humbjet e vetëdijes.

Simptoma më e zakonshme e insultit cerebral është shfaqja e një dobësie të menjëhershme në fytyrë, krahë ose këmbë, më shpesh në njërën anë të trupit.

Shenjat e tjera mund të jenë: humbje e ndjeshmërisë në fytyrë, krahë, këmbë, veanërisht në njërën anë të trupit; konfuzion, vështirësi në të folur ose kuptuar; vështirësi në shikim në njërin ose të dy sytë; vështirësi në ecje, humbje ekuilibri apo koordinimi; dhimbje koke e fortë pa shkak të njohur ose humbje e vetëdijes ose reagimit.

 

 

A parandalohen sëmundjet kardiovaskulare?

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekshmërisë globale. Në vitin 2019 rreth 17.9 milion njerëz humbën jetën në botë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.  Identifikimi i personave me risk të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare dhe trajtimi në kohe i tyre mund të kontribuojë në parandalimin vdekjet e parakohshme.

Ndërprerja e përdorimit të cigares, reduktimi i kripës në ushqim, aktiviteti i rregullt fizik, ushqyerja në mënyrë të shëndetshme, konsumi i më shumë frutave dhe zarzavateve, reduktimi i stresit, mbajtja e një peshe trupore optimale, moderimi në përdorimin e alkoolit dhe trajimi medikamentoz i faktorëve të rrezikut si diabeti, hipertensioni arterial apo niveli i lartë i kolesterolit në gjak, kanë treguar se reduktojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

A është faktor rreziku ushqyerja?

Mënyra e pashëndetshme e të ushqyerit, mund të konbtribuojë në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare që kanë në bazë të tyre procesin e aterosklerozës dhe hipertensionin, të cilat nga ana e tyre janë të ndikuara në mënyrë të rëndësishme nga dieta.

Aktualisht, rekomandohet një dietë e pasur me fruta dhe zarzavate, fibra, produkte me përmbajtje të ulët yndyrnash, peshk, pulë, e varfër në kripë dhe e pasur në kalium.

Si ka ndikuar Covid -19 në personat që janë bartës të sëmundjeve të zemrës?

Virusi pergjegjës për Covid-19, mund të prekë, vec sistemeve dhe organieve të tjera edhe zemrën dhe indet vaskulare. Studimet tregojnë se ecuria klinike është më e pafavorshme në pacientët me COVID-19 që kanë sëmundje kardiovaskulare dhe faktorë rreziku për këto sëmundje si hipertension arterial, diabet dhe obezitet.

Të dhënat tregojnë se pacientët e prekur nga Covid-19 kanë një rrezik mbi 6 herë më të lartë për të vdekur nëse vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, rreth 3 herë më të lartë në se vuajnë nga hiperetensioni dhe mbi 2 herë më të lartë në se vuajnë prej diabetit.  Prej këtej, edhe rendësia e madhe që ka vaksinimi i pacienteve që vuajnë nga këto probleme.

 Shpesh herë kemi parë që pacientët të cilët vuajnë nga problemet e zemrës, vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike, si për shembull diabeti. A ekziston një lidhje mes këtyre dy sëmundjeve të përmendura më lart dhe a ka një faktor kyç që këto sëmundje bashkëshoqërojnë njëra- tjetrën?

Incidenca e diabetit mellitus vazhdon të rritet në mënyrë të shpejtë, duke e bërë atë një nga sëmundjet kronike më të përhapura në shkallë botërore. Ekziston një lidhje midis diabetit mellitus dhe sëmundjeve kardiovaskulare, pasi faktorët e riskut kardiovaskular si obeziteti, hipertensioni arterial dhe dislipidemia janë të zakonshëm në pacientët me diabet, duke u bërë shkak për risk më të lartë për sëmundje kardiovaskulare.

Identifikim i faktorëve të riskut te pacientët me diabet është shumë i rëndësishëm për të minimizuar komplikacionet kardiovaskulare afatgjata të kësaj sëmundje.

Bisedoi: Xhoana Çallaku

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re