Dr. Tritan Kalo, një emër i njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin në fushën e mjekësisë për më shumë se 42 vite, ka ngritur shqetësimin mbi fenomenin e mashtrimeve publike me produkte mjekësore të palicensuara, të cilat pretendohet në mënyrë të rreme se mbajnë vulën e miratimit të tij.
Në një reagim publik në faqen e tij në Facebok, Dr. Kalo ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse, duke përfshirë Komisionin Parlamentar për Dezinformimin, AMA, SPAK dhe Prokurorinë, për të ndalur këto mashtrime që rrezikojnë jetën e qytetarëve duke promovuar barna të paligjshme dhe të pasigurta.
Dr. Kalo shprehet se këto veprime dashakeqe dëmtojnë emrin dhe reputacionin e tij të ndërtuar me mund dhe ndershmëri, ndërsa njëkohësisht vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve. Ai thekson se:
- Produkte të tilla të pakontrolluara jo vetëm që nuk japin efekt të dobishëm, por mund të rëndojnë gjendjen e pacientëve.
- Këto mashtrime janë të ndëshkueshme shkencërisht, mjekësisht, shoqërisht dhe ligjërisht.
Dr. Kalo bën thirrje që qytetarët të mos bien pre e këtyre mashtrimeve, të refuzojnë dhe raportojnë çdo reklamë të tillë të rreme. Ai nënvizon se kurrë nuk ka promovuar barna apo produkte mjekësore dhe nuk është as kardiolog, aq më pak kardiokirurg, por një mjek i specializuar në Sëmundjet Infektive, Tropikale dhe Reanimacionin Mjekësor.
Në fund, Dr. Kalo rikujton se qëllimi i tij mbetet t’i shërbejë pacientëve me ndershmëri dhe profesionalizëm, ndërsa kërkon nga institucionet shtetërore dhe ligjzbatuese të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndalur këto veprime kriminale që cenojnë shëndetin publik.
“MOS luani me emrin tim të mirë dhe me besimin që populli vijon të ketë tek unë!” është thirrja e tij e fortë për të gjithë ata që abuzojnë me emrin e tij për interesa të ulëta financiare.
Më poshtë postimi i plotë: