Disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian kanë deklaruar se kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas Radio “Evropa e Lirë”, burimet diplomatike kanë nënvizuar se teksti është i shkruar me shumë seriozitet dhe me një cilësi të lartë, dhe se po analizohet me kujdes.
Teksa janë pyetur nëse ky draft do të merret parasysh për avancimin e dialogut mes dy vendeve, të njëjtat burime kanë thënë se ky tekst shihet si një kontribut në këtë drejtim.
“Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar më 8 qershor, se ua ka dërguar këtë draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar, që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit. Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende një deklaratë lidhur me propozimin e Tiranës.