Drafti për asociacionin e komunave serbe në Kosovë është një ndër pikat për të cilën kryeministri, Edi Rama, foli gjatë në fjalën e tij për 32 vjetorin e Partisë Socialiste.

 

Duke theksuar se përpjekja e tij është një kontribut konkret për asociacionin dhe është pritur tejmase mirë nga aleatët e BE, kryesocialisti dha një përgjigje dhe për të gjitha ato që e kanë kundërshtuar.

 

Rama iu drejtua zërave kundër nga qeveria e Kosovës duke thënë se jetojnë ende me komunizmin në kokë dhe ndonëse kanë ato në dorë të vendosin mbi këtë çështje, rajoni nuk është vetëm i tyre, ndaj s’mund të luajnë luftash.

 

“Së pari ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë, ku politika merrej me kush e tha dhe jo me çfarë tha dhe së dyti vërtetë janë ata që vendosin vetëm për vete, por ky rajon nuk është vetëm i tyre, është edhe i yni dhe disa të tjerëve. Nëse atyre iu vjen më përmbarë të luajnë akoma luftash, një çerek shekulli pasi lufta ka mbaruar, ndërkohë që as njëra palë dhe as tjetra s’i hapin dot njëra-tjetrës jo luftë, por asnjë të shtënë që kapërcen kufinjtë sepse aty është Amerika, është NATO dhe aleatëve tanë po iu soset durimi sepse po kërkojnë paqen përfundimtare, unë iu them se jo vetëm që nuk jemi fare të interesuar ndaj asaj loje luftash, por ne jemi plotësisht të painteresuar ndaj asaj lufte”, tha Rama.

 

Kryesocialisti theksoi në fjalën e tij se PS është një forcë politike që është gjendur gjithmonë në qëndrimet dhe vendimet e saj pranë shtetit të Kosovës, teksa të kundërtën ka pretenduar për partitë opozitare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re