Skip to content

Draghi lëshon gjuhën ndaj Erdogan, flakë për flakë nga Ankaraja

116779290 0947d1a9 6833 4260 b166 b1725cafae7d

Kryeministri italian Mario Draghi akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për dëshirën për të poshtëruar Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen këtë javë dhe tha se ai duhet të ishte i hapur me “diktatorët”. Kjo provokoi më pas dënime nga Ankaraja.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan priti të martën në Ankara Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel. Por një spekulim me foto bëri që diplomatja gjermane të dukej e poshtëruar, gjë që u sqarua po me foto.

Por kreu i qeverisë italiane pretendon të kundërtën.

“Unë absolutisht nuk jam dakord me sjelljen e Erdogan ndaj Presidentes von der Leyen … Unë nuk mendoj se ishte një sjellje e përshtatshme dhe më erdhi keq për poshtërimin që von der Leyen u desh të duronte,” u tha Draghi gazetarëve.

“Në këtë drejtim, le t’i quajmë ata si janë – diktatorë – me të cilët duhet akoma të koordinohet, duhet të jetë i hapur kur shprehen pikëpamje dhe mendime të ndryshme,” shtoi ai.

Fill pas kësaj deklarate, Ministria e Jashtme turke i bëri thirrje ambasadorit italian në Ankara lidhur me deklaratën e Draghit, ndërkohë që ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu kritikoi ashpër deklaratën.

“Ne dënojmë me forcë fjalimin e papranueshëm, populist të kryeministrit italian dhe komentet e tij të shëmtuara në lidhje me presidentin tonë,” shkroi Cavusoglu në Twitter.

Më parë të enjten, Cavusoglu tha se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan priti Shefen e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në përputhje me “kërkesat dhe propozimet e Bashkimit Evropian” dhe hodhi poshtë  kritikat se Ankaraja kishte poshtëruar udhëheqësen e BE.