Kanë kaluar gjashtë ditë që Dina Alalami ka kontaktuar me familjen e saj, pasi i afërmi i saj e ka njoftuar me sms se janë gjallë.

33-vjeçarja nënë e dy fëmijëve, e cila prej pesë vitesh jeton në Doha, kryeqytetin e Katarit, nuk e dinte nëse motra, dy kunetërit, dy nipërit dhe tre të afërm të tjerë ishin gjallë apo viktima të bombardimeve izraelite të Gaza-s që kanë vrarë më shumë se 11.500 njerëz në afro një muaj.

“Të premten, më 10 nëntor, ata vendosën të largoheshin nga shtëpia e tyre dhe të shkonin në jug, sepse tanket izraelite po afroheshin dhe rrethonin zonën”, tha Dina për Al Jazeera-n.

“Ata e morën këtë vendim, duke thënë se nuk do të mbijetonin natën nëse do të qëndronin atje. Ne thirrëm Kryqin e Kuq dhe i kërkuam që të ndihmonin për të siguruar kalimin e sigurt”, shtoi ajo.

Por Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe thanë se nuk mund të ndihmonin.

Familja u largua nga shtëpia e tyre gjatë pushimit prej katër orësh – një ditë pasi Izraeli njoftoi pushime humanitare për të lejuar palestinezët të kalonin nga veriu në jug.

Rreth mesditës, familja doli nga shtëpia duke valëvitur flamuj të bardhë. Dy motrat e Dina-s, të cilat janë të martuara me dy vëllezër, lanë shtëpitë e tyre ditën e parë të luftës dhe u shpërngulën në shtëpinë e familjeve të bashkëshortëve të tyre, gjithashtu në qytetin e Gaza-s.

Dina ishte në telefon me motrën e saj më të vogël, Rullën, ndërsa grupi përparonte, të ndjekur nga britma të papritura. Motra e tyre Lina u përkul në dysheme dhe gjaku ia lau këmishën pasi një tank izraelit qëlloi mbi ta.

Rulla e tërhoqi zvarrë Lina-n në hyrje të pallatit Bakri në rrugën Shuhada dhe tentoi t’i jepte ndihmën e parë. Ajo pa një plagë me armë zjarri në gjoksin e motrës së saj.

Por ndërsa zjarri i tankeve izraelite vazhdonte, Rulla nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta linte pas dhe të vraponte brenda. Bashkëshorti i Rulla-s, Bashar Khayal u qëllua në krah, si dhe motra e tij Dalia u plagos gjithashtu.

Gjyshja e Bashar-it dhe Dalia-s, Feryal, mbeti pas, e vrarë, e shtrirë e palëvizur në rrugë.

Rulla i tha Dina-s saktësisht se ku ishin dhe iu lut që të kontaktonte Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për t’i shpëtuar. Ndërtesa ndodhet prapa farmacisë Al-Zaytoun, përgjatë kryqëzimit Abbas, tha Rulla.

Dina thirri KNKK-në, por iu tha se nuk mund të shkonin në zonë.

“Ndjenja më e keqe në botë”

Të nesërmen, të shtunë, Dina mori lajmin që i kishte frikësuar gjatë gjithë kohës. Lina ndërroi jetë dhe trupi i saj ishte ende në hyrje të ndërtesës.

Ka ndërruar jetë edhe Dalia.

Djemtë e Lina-s, Mohammad katër vjeç dhe Majed nëntë muajsh, u bllokuan në ndërtesë me babanë e tyre Tareq Khayal, gjyshen Dalia, hallën Suha, Rulla-n dhe Bashar-in. Ata nuk kishin ushqim, ujë apo rrymë.

Para se të shkarkohej plotësisht bateria e tyre, Suha arriti t’i dërgonte një mesazh Dina-s: “Jemi gjallë”.

Gjatë fundjavës, Dina shkoi në Kajro të Egjiptit, ku jeton babai i saj, dhe vëllai i saj, i cili normalisht jeton në Dubai, iu bashkua atyre.

“Vetëm mendimi i atyre dy fëmijëve që nuk kishin ujë për të pirë apo ushqim, mendimi se mund të vdisnin nga dehidratimi apo uria…”, thotë ajo teksa zëri dhe fryma i shterrohen.

“Kjo pafuqi është ndjenja më e keqe në botë,” tha ajo. “Motra ime është vrarë dhe trupi i saj është ende i shtrirë në rrugë. Nuk ka respekt as për të vdekurit, kjo më thyen dhe më shumë zemrën.”

Dina ishte për herë të fundit në Gaza këtë verë, gjatë dasmës së Rulla-s dhe Bashar-it. Të dy ishin të fejuar për shtatë vjet dhe u martuan në gusht pasi Rulla përfundoi studimet për mjekësi në Egjipt.

“Motrat e mia janë gjashtë e shtatë vjet më të vogla se unë dhe ne ishim shoqet më të mira”, thotë Dina.

“Do të doja të isha me ta tani. Do të doja të kishim vdekur ose të kishim jetuar së bashku”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re