Më shumë se 18,000 fëmijë refugjatë që kanë arritur në Evropë janë zhdukur në tre vitet e fundit, ka zbuluar një studim i ri.

Sipas një analize nga grupi i gazetarëve Lost in Europe, i cili përfshin reporterë nga The Guardian në Londër, hollandeja VPRO, RBB gjermane dhe media të tjera, nga 2018 në 2020, 18,292 fëmijë u zhdukën në Evropë. Ato mbërritën si “refugjatë të mitur të pashoqëruar” dhe për të cilat ishin përgjegjëse institucionet e vendeve evropiane, raporton Deutche Welle (DW).

Eshtë e mundur që edhe më shumë fëmijë të jenë zhdukur, pasi ka dallime të mëdha në përpunimin e të dhënave midis vendeve. Franca, Danimarka dhe Rumania nuk mbledhin të dhëna të këtij lloji, ndërsa Bullgaria nuk bën dallim midis të miturve që vijnë me kujdestarë dhe atyre që vijnë vetëm.

Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për këto probleme, ndaj, Komisioneri Evropian për Punët e Brendshme Ylva Johansson thotë se Brukseli ka udhëzuar anëtarët e BE se “ata duhet të bëjnë më shumë kundër zhdukjes së fëmijëve refugjatë, duke përfshirë mbledhjen më të mirë të të dhënave”.

Verena Keck, një përfaqësuese e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve ECPAT, beson se numri real i fëmijëve që po humbin gjurmët në Evropë është në të vërtetë shumë më i lartë. Ajo kritikon BE-në për mosadresimin e çështjes së bashku dhe për mungesën e një regjistri qendror të personave të zhdukur.

“Për fëmijët dhe të rinjtë, kjo mund të ketë pasoja fatale, sepse ata mund të futen në një situatë në të cilën shfrytëzohen. Dhe nëse askush nuk e di se ata po mungojnë, askush nuk i kërkon”, tha Keck.

Bandat e trafikimit njerëzor

Një vajzë vietnameze e cila u zhduk nga shtëpia e fëmijëve në shtetin gjerman të Brandenburgut, u gjet aksidentalisht nga policia disa muaj më vonë gjatë kontrollit në një apartament në Berlin. Vajza jetonte me një çift vietnamez që shisnin ilegalisht drogë dhe cigare. Vajza u detyrua të punonte në një studio manikyrësh për 300 euro në muaj, për të shitur cigare dhe për të shpërndarë lëndë narkotike.

Në Gjermani, 7,806 fëmijë të zhdukur janë raportuar në tre vitet e fundit, nga të cilët 724 nuk janë gjetur ende. Fëmijët që zhduken më shpesh janë nga Afganistani, të ndjekur nga Maroku dhe Algjeria.

Një problem i veçantë janë statistikat e mbajtura dobët. Zyra Federale Gjermane e Kriminalistikës, e ngarkuar me regjistrin e personave të zhdukur, pranon se disa fëmijë refugjatë do të regjistrohen si të zhdukur disa herë, ndërsa të tjerët do të lihen jashtë.

Në vitin 2016, Europol paralajmëroi për rrjete kriminale që shfrytëzojnë fëmijët që ikin në Evropë më vete.

Autoritetet gjermane thanë gjithashtu në janar të këtij viti se dinin për bandat vietnameze që trafikonin qenie njerëzore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re