U bënë thuajse dhjetë vjet që në klasa hyjnë çdo vit e më pak fëmijë, duke dëshmuar para syve dramën e popullsisë në rënie si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe emigracionit të lartë.

Nga më shumë se 400 mijë nxënës që uleshin çdo vit në banka, dje nuk ishin as 350 mijë. Prej të cilëve, vetëm 29 mijë të vegjël për herë të parë. Të dy treguesit janë në pikiatë për të disatin vit, aq sa për të mbushur bankat e mbetura bosh, Ministria e Arsimit i ka hapur rrugë regjistrimit në shkollë edhe të fëmijëve që nuk kanë mbushur ende gjashtë vjeç. Por as kjo kategori se nuk e mbush dot boshllëkun e krijuar nga lindjet e pakta dhe shpërngulja e familjeve jashtë vendit për një jetë më të mirë. Në vigjilje të këtij fillimviti shkollor, çdo qytet, përveç Tiranës, raporton rënie të numrit të nxënësve. Situata ka shkuar deri aty sa, ka edhe nga ato shkolla që nuk kanë çelur fare klasë të parë sivjet, si asnjëherë tjetër.

STATISTIKAT

Rreth 350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në vend nisën dje vitin e ri shkollor. 70 mijë i përkasin kopshteve, rreth 100 mijë janë gjimnazistë dhe 280 mijë në arsimin 9-vjeçar. Për herë të parë do të ulen në bankat e shkollave rreth 29 fëmijë që nisin klasën e parë, numër i përafërt me një vit më parë. Rënia më e madhe vihet re në gjimnaze, ku në klasat e 10-ta janë regjistruar 27 mijë nxënës, një mijë më pak në krahasim me një vit më parë. Këto të dhëna nuk janë përfundimtare, pasi regjistrimet po përditësohen.

Nuk dihet ende nëse do të përmbushet shifra e vjetshme, 450 mijë nxënës, por rënia është e ndjeshme në vend, pasi në vitin 1991 numri i tyre ishte 690 mijë, ndërsa sot kemi përgjysmim. Pothuajse të gjitha zonat e vendit janë prekur nga boshatisja e klasave për shkak të emigrimit.

Në Korçë këtë vit janë mbyllur tri shkolla, 6 klasa të para janë mbyllur, një në Pogradec dhe pesë në Korçë, ndërsa ka 228 nxënës më pak. Ndërsa Durrësi vijon fazën e rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, 14 shkolla dhe kopshte janë ende të dëmtuara dhe mësimi vijon me turne.

Në bankat e shkollës në Lezhë u ulën një numër i vogël nxënësish krahasuar me një vite më parë. Krahasuar me një vit më parë, numri i nxënësve është më i ulët, pavarësisht se DAR Lezhë nuk bën me dije të dhënat në rang qarku ende. Edhe pse qarku Lezhës ka pasur numër të ulët regjistrimesh, nuk ka asnjë shkollë të mbyllur për këtë vit shkollor. 519 nxënës janë regjistruar në klasat e para në shkollat publike, ndërsa tek privati 117 për rrethin Lezhë. Ndërsa në gjimnazet e Lezhës 8004 nxënës.

Një situatë e ngjashme raportohet edhe në bashkinë e Shkodrës. 712 nxënës më pak janë ulur sivjet në bankat e shkollës. Vitin e kaluar ishin 16.506 në arsimin e mesëm dhe 9-vjeçar ndërsa sivjet, kanë nisur mësimin 15.794. Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër, Brisela Kadija, shprehet se pavarësisht uljes së numrit të nxënësve, nuk ka shkolla që rrezikojnë të mbyllen.

Ndërkohë, në Bashkinë e Malësisë së Madhe, në Kelmend, janë dy shkolla që nuk kanë asnjë nxënës të regjistruar në klasën e parë. Shkolla që rrezikojnë mbylljen në Pukë dhe Fushë Arrëz, në fshatrat e thellë.

Nga ana tjetër, 15-17% më pak nxënës janë në të gjitha shkollat e Gjirokastrës. 4-5 shkolla janë mbyllur në Përmet dhe Gjirokastër. Më të prekura nga boshatisja janë shkollat e zonave minoritare. Për herë të parë në këtë vit shkollor, në klasën e parë janë pranuar edhe ata që janë 5 vjeç, por që brenda vitit do të mbushin 6.

Krahas fëmijëve, në sistemin arsimor janë edhe 31 mijë mësues, ndërsa procesi mësimor do të jetë në 1700 shkolla të shpërndara në të gjithë vendin.

Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, ky vit do të mbarojë më 14 qershor, ndërsa pushimet për rreth dy javë do të jenë në muajin dhjetor, ndërsa 7 ditë të tjera janë në javën e parë të prillit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re