Nga: Sali Shasivari

Në fund të këtij seriali të këtyre shkrimeve modeste nën titullin “110 vite pa Shqipërinë” (serial ky, në pjesën e parë të të cilit shqyrtuam disa nga paradokset më të theksuara shqiptare, ndërsa, në pjesën e dytë të tij shqyrtuam disa nga aspektet kryesore në funksion të rimëkëmbjes…), do të doja të konstatoj si vijon:

Në këto momente kyçe dhe historike, kur populli shqiptar – në përgjithësi – është zhytur në paradokse dhe mjerim të gjithanshëm në shumë sfera dhe aspekte, duke qenë i përçarë, i fragmentuar, i paorganizuar, i defokusuar, i dobët, i pazhvilluar, inferior, i hutuar, i nënshtruar, i dorëzuar, i kompleksuar, i servilosur, i korruptuar, i degjeneruar, etj., bile-bile, pa identitet, pa plan, pa strategji, pa taktika, pa punë, pa angazhime, pa veprime, pa orvatje, pa tentime, pa rezultate, pa shpresë, dhe pa perspektivë…; në këto çaste vendimtare, është obligim dhe imperativ i kohës, që, ky popull, të zgjohet nga gjumi letargjik, si dhe të shpallë një ‘pranverë mbarë-shqiptare’ në të gjitha sferat dhe aspektet jetike, me qëllim të rikthimit të dinjitetit dhe krenarisë, si dhe me qëllim të marrjes së vendit të merituar në mesin e popujve të rajonit dhe më gjerë…!

Kështu, populli shqiptar, si popull më i lashtë në Ballkan, i shtrirë në 5 shtete, me një shtet amë, si dhe me një diasporë jashtëzakonisht të madhe në numër, do të bënte mirë që, një herë e përgjithmonë, ta respektojë vetveten, dhe, ta shfrytëzojë gjithë potencialin e tij historik, demografik, gjeografik, ekonomik, gjeopolitik, dhe gjeostrategjik, jo për diç më shumë, por së paku për të rikthyer territoret dhe të drejtat e tij edhe ashtu të cunguara…!

E, në këtë aspekt, ‘pranvera’ duhet të fillojë nga gjithësecili prej nesh, në nivel të masave popullore…

Kur të ndodh ky ndryshim, me automatizëm do të ndryshojë edhe politika…!

Ndryshimi më i vështirë është ndryshimi i mendësisë… E, kur të ndodhë një gjë e këtillë, shumë lehtë ndryshohen shtresat e korruptuara politike…!

Ndërsa, sa i takon mëmëdheut Shqipëri, duhet potencuar faktin se, obligimet dhe detyrimet e shtetit Shqiptar nuk guxojnë të mbeten në përmasat e një bashkëpunimi dhe bashkëveprimi për organizimin e manifestimeve të flamurit… Porse, ambicjet janë që Shqipëria të luajë rolin e mirëfilltë të shtetit amë…; rol ky, i cili, gjatë njëqind e dhjetë viteve të kaluara ka qenë gati inekzistent…! Andaj, ajo që kërkohet tash e tutje është që shqiptarët mos vazhdojnë të ndjehen jetim, përreth faktit që kan shtet amë…!

Kjo, ngase, ‘Bashkimi Kombëtar’ nuk arrihet përmes slloganeve, këngëve, dhe folklorit, porse, një maksimë e këtillë, para së gjithash, duhet të jetë platformë e gjithmbarshme kombëtare, e cila do të përcaktonte një plan aksional për realizimin e një bashkimi të tillë hap-pas-hapi…!
Në këtë kontekst, duhet patur parasyshë të vërtetat që vijojnë:
– Pa i bashkuar ‘idetë’, nuk mund t’i bashkojmë ‘interesat’ e gjithmbarshme…!
– Pa e unifikuar ‘Abetaren’, nuk mund ta bashkojmë ‘atdheun’…!
– Pa i bashkuar ‘akademitë’, nuk mund ta unifikojmë ‘arsimin’…!
– Pa i bashkuar ‘vizionet’, nuk mund t’i bashkojmë ‘vatrat’…!
– Pa i bashkuar ‘tregjet’, nuk mund t’i bashkojmë ‘trojet’…!
E, mbi të gjitha, ”Shqiptarët pa i bashkuar kokat, nuk mund t’i bashkojnë tokat.” (Kim Mehmeti)
Madje, le të mos harrojmë faktin se, të jetosh për vatan (ashtu siç duhet, në të gjitha aspektet), është më e vështirë se sa të vdesësh për vatan…!
Së këndejmi, “Shqipërinë e pa bërë, bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis” (Ukshin Hoti)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re