Bashkimi Evropian po përgatit një takim të “Komunitetit Politik Evropian” që do të mbahet gjatë Samitit të BE-së në Pragë muajin e ardhshëm, ku do të bashkohen liderët e BE dhe 17 vendeve të tjera, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një zyrtar i lartë i BE-së i paidentifikuar tha se takimi i “Komunitetit Politik Evropian” ishte planifikuar përpara samitit joformal të liderëve të BE-së, i cili do të organizohet nga Republika Çeke më 6 dhe 7 tetor.

Përveç liderëve të 27 anëtarëve të BE-së, në atë takim do të ftohen edhe liderët e 17 vendeve të tjera, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor – Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja, si dhe Turqia, Norvegjia, Lihtenshtajni, Zvicra, Britania e Madhe, Islanda, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Armenia dhe Azerbajxhani, raporton Anadolia.

Temat kryesore që do të diskutohen në takim do të jenë sulmi rus ndaj Ukrainës, kriza energjetike dhe situata ekonomike.

Takimi i parë i “Bashkësisë Politike Evropiane” do të mbahet më 6 tetor në margjinat e Samitit të BE-së në Pragë.

Një ditë më vonë, liderët e BE-së do të mbajnë takimin e tyre të planifikuar.

Gjatë takimeve do të diskutohen shumë tema si siguria, stabiliteti, energjia, klima, transporti dhe ekonomia.

Në fund të ditës do të mbahet darka finale, ku liderët pritet të zhvillojnë bisedime dypalëshe.

Ideja e të ashtuquajturit “Komunitet Politik Evropian” u fut në rendin e ditës nga presidenti francez Emmanuel Macron në Samitin e Liderëve të BE-së të mbajtur në qershor.

Udhëheqja e BE-së njoftoi se liderët e pranuan idenë në parim.

Macron deklaroi se pranimi i Ukrainës në BE do të zgjaste me vite dhe sugjeroi që vendet që ndajnë të njëjtat vlera me BE-në, mund të bashkohen nën ombrellën e “Komunitetit Politik Evropian” në vend që të bëhen anëtarë.

Zyrtarët e BE-së e përshkruajnë Komunitetin Politik Evropian si një “proces gjithëpërfshirës” në pronësi të BE-së dhe vendeve të treta. Ata theksojnë se nuk është zëvendësim i zgjerimit të Bashkimit Evropian apo politikave të BE-së.

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re