Aktivisti i Vetëvendosjes Shkëlqim Morina është arrestuar në kufirin me Shqipërinë teksa shkonte në pushime me gruan e tij. Arrestimi i tij, sipas VV-së, është bërë për shkak të aksioneve të mëhershme politike

“Pushteti do të tregojë se nuk dorëzohet në gabimet e tij. Kështu sot, aktivisti Shkelqim Morina është arrestuar në kufirin me Republikën e Shqipërisë, derisa shkonte në pushime me gruan e tij. Arrestimi i tij është bërë për shkak të aksioneve të mëhershme politike. Shqetësimi i aktivistëve për projektet e dëmshme politike në Kosovë është treguar i drejtë, angazhimi i tyre i dobishëm, kurse instalimi përdhunshëm i atyre projekteve nga ana e Qeverisë është vërtetuar si i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Sot, arroganca e pushtetit dhe mospërfillja me të cilat qeveritarët shkojnë në Bruksel po i detyrojnë qytetarët të dalin në protesta sërish. Pikërisht në këtë kohë vazhdon edhe përndjekja e aktivistëve. Brutaliteti i qeverisë nuk e ka bërë që të fitojë, por thjesht të dalë kërcënuese por edhe e zmprapsur nga populli. Kështu edhe do të ndodhë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kujtojmë se edhe ditë më parë u arrestua një aktivist i VV-së për çka partia e Kurtit fajësoi pushtetin aktual duke thënë se po vazhdon traditën e vjetër të ish qeverisë “Mustafa”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re