Prej muajsh noterët në të gjithë vendin kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të verifikuar integritetin, aftësitë dhe kualifikimet profesionale të tyre. Nëse do të konstatohen parregullsi, parashikohen masa disiplinore deri në heqjen e licencës.
Përveç magjistratëve dhe efektivave të policisë një tjetër kategori juristësh do t’i nënshtrohet vettingut.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi thotë për RTV Ora se një procedurë e tillë është e nevojshme dhe së shpejti komisioni ngritur do të nxjerrë edhe rezultatet.“Patjetër që është i nevojshëm, meqenëse është një proces që po bëhet në të gjitha institucionet, nuk mund të thuash që të përjashtohet noteria. Pavarësisht se themi është një veprimtari private, por është një funksion public”, u shpreh Sadushi.Vettingu synon të kontrollojë karrierën e tyre që nga dokumenti i hyrjes në këtë profesion si asistent.

“Duke filluar që nga diplomat e përfundimit të shkollës, më tej me plotësimin e viteve të asistencës, që ka bërë çdo noter pranë zyrës noteriale. Pra të gjithë procedurën që kërkonte ligji i kohës në momentin kur noteri është bërë noter”, theksoi ajo.Nëse në këto formularë konstatohen të dhëna të rreme do të nisë procedimi disiplinor deri në heqje licencës per noterët.“Është vendimmarrje e ministrit të Drejtësisë, sepse kështu e parashikon ligji. Ndoshta do të ketë për ata persona që nuk kanë plotësuar kriteret për futjen në profesion, mund të ketë masa të tilla, ose edhe masa më të lehta për shkeljet që mund të kenë bërë noterët” tha Sadushi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re