Shqiptari Dritan Gjika, i cili konsiderohet edhe si një prej drejtuesve të mafies të trafikut të drogës Kolumbi, Ekuador dhe BE po hetohet edhe për pastrimin e 31 milionë dollarëve.

Prokuroria ekuadoriane e lidh pikërisht shqiptarin Dritan Gjika dhe katër persona të tjerë me pastrimin e kësaj shumë të madhe parash.

Së bashku me Gjikën, i përmendur si drejtues i mafies shqiptare që vepronte në vend, janë të lidhur katër persona: Mario S.; Carina E.; Carlos G.; dhe Pablo H.

Shtatë kompani apo persona juridikë janë gjithashtu në proces. Ndaj tyre gjyqtari ka urdhëruar ndalim parandalues, sekuestrim të pasurisë dhe bllokimin e llogarive. Ai ka urdhëruar policinë që ta lokalizojë dhe t’i kapë të akuzuarit, raportojnë mediat në Ekuador.

Më 7 shkurt, Policia Kombëtare, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit “Pampa”, i cili u zhvillua në disa qytete të Ekuadorit dhe gjithashtu në Spanjë.

Sipas Prokurorisë, përmes informacioneve konfidenciale u mësua se në Guayas, ndodhej një kompani transporti e dedikuar për transferimin e parave dhe substancave të paligjshme përmes kamionëve.

Për më tepër, në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena, vepronte një organizatë kriminale e dedikuar për pastrimin e parave të trafikut të drogës, e drejtuar nga Dritan Gjika dhe qytetarë të tjerë.

Për këtë u krijuan disa kompani të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (kryesisht banane), blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, prodhimin e mishit dhe kanabisit. Këta shtetas kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të nivelit të lartë dhe pasuri të paluajtshme si toka, shtëpi, zyra, magazina dhe parkingje në katër provinca të vendit, sipas hetimit tatimor.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re