Ditën e sotme janë regjistruar 21 raste të reja me koronavirus në vend. Prej tyre, 13 ishin staf mjekësor dhe pacientë në QSUT.

Për të folur në lidhje me këtë të re më të fundit rreth epidemisë në vend, i ftuar në “Byro Politike” këtë të mërkurë ishte epidemiologu Erion Dasho.

Në të njëjtën kohë, në studio ishte e pranishme virtualisht edhe Silva Bino, drejtoresha e Shërbimit të Epidemiologjisë, në ISHP.

Gjatë bisedës në studio, Bino u shpreh se numri i madh i të infektuarve vjen edhe si shkak i rritjes së numrit të testeve të bëra. Silva Bino u shpreh se teste për koronavirusin i është bërë çdo personi kontakti, qofshin këta me apo pa simptoma.

“Kjo është strategjia jonë tashmë që vendi është hapur. Çdo person kontakti do të testohet.”, shtoi drejtoresha e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP.

Sa i përket rasteve në QSUT, zonja Bino thotë se personi i parë është evidentuar dhe është izoluar në spital.

Bino: “Personeli është paraqitur në punë edhe pse kanë pasur shenja të sëmundjes. Është evidentuar personi, u izolua në spital. Ka filluar gjurmimi i mëtejshëm për të gjithë pacientët.”

Nga ana tjetër, epidemiologu Dasho është shprehur se është e papranueshme kjo që ka ndodhur në QSUT në këtë fazë.

Dasho: “Është shumë e çuditshme, e papranueshme kjo që ka ndodhur në QSUT në këtë fazë. kjo nuk ndodh kudo. Në një qendër terciare, nuk mund të kemi një shpërthim.”

Bino iu përgjigj duke thënë se ne nuk jemi vendi i parë ku ndodh kjo gjë, ndërsa shtoi se rasti në fjalë po merret me seriozitet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re