Ish-drejtoresha e mjedisit në Bashkinë e Tiranës, Viola Sterjo doli këtë të premte para gjykatës së Korçës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Me pranga në duar dhe kapuç në kokë, 39-vjeçarja është futur në sallën e gjyqit.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Kjo pasi sipas gjykatës çështja është në fazë paraprake dhe hetimet janë sekret. 39-vjeçarja mohoi akuzat e prokurorisë duke theksuar se paratë i mori për përgatitjen e dokumenteve të aplikimit pasi ka qenë e punësuar me kohë të pjesshme në disa studio konsulente.

Aplikimet sipas saj, nuk ishin finalizuar ende për shkak të kohës dhe kjo gjë shkaktoi acarim tek klientët të cilët kërkuan ndërprerjen e marrëdhënieve juridiko-civile si dhe kthimin e pagesave. Por pavarësisht këtyre qëndrimeve, gjykata vendosi të lë në burg 39-vjeçaren.

NEVZAT TARELLI – AVOKAT MBROJTËS

 

Viola Sterjo nuk ka pranuar kthimin e shumës monetare ndaj këta qytetarë i jane drejtuar prokurorisë. Duhen hetime të thelluqra pasi e mbrojtura prej meje jep versione të cilat në rast se verifikohen hedhin poshtë veprën penale të mashtrimit dje mund të kalohet më pas ne një vendim që mund të zgjidhet në gjykatën civile. Ne kemi kërkuar sot që ti jepet mundësia që të grumbollojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm që ka pasur.

Ish zyrtarja Viola Sterjo akuzohet për mashtrim. Ajo dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm gjatë periudhës mars-nëntor të vitit 2020 me premtimin se do t’u siguronte atyre fonde për investime, nga shteti.

Gjatë kësaj kohe, 39 vjeçarja ishte punonjëse në një institucion tjetër shtetëror. Sipas burimeve Viola Sterjo ka mashtruar 5 persona në Korçë dhe Pogradec të cilëve u kishte marrë shuma nga 20 mijë euro deri në 160 mijë euro, me premtimin për të ndërhyrë në agjencinë e zhvillimit bujqësor dhe rural për t’u siguruar atyre grante që varionin nga 2.2 milion euro deri në 4.5 milionë euro.

Mashtrimi u zbulua pas një kallëzimi penale të bërë në 12 dhjetor të këtij viti në prokurorinë e Korçës nga një qytetar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re