Kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e ka nisur nga Elbasani prezantimin e drejtorëve të rinj vendore, ndryshimet e të cilëve i bëri publik një ditë më parë.

Nano ka prezantuar sot në qytetin e Elbasanit, Ardian Çipën, i cili zëvendëson në postin e Drejtorit të Policisë, Gjovalin Lokën.

Ardian Çipës i është besuar një nga drejtoritë që kohët e fundit është konsideruar si më e vështira, ajo e Elbasanit.

Një ditë më parë, Nano bëri prezantimin e të gjithë drejtorëve të rinj të policisë vendore.

Kështu Policia e Tiranës do të drejtohet nga Lorenc Paganika, duke zëvendësuar në këtë post Rebani Jaupin, i cili është emëruar në krye të Departamentit për Siguri Publike.

Nano u shpreh dje se do t’iu përcaktojë prioritetet dhe objektivat atyre për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë publike në luftën kundër krimit.

“Lëvizjet u paraprijnë ndryshimeve të tjera që do të bëhen në drejtuesit e tjerë të Policisë në nivel vendor”, paralajmëroi Nano.

Ndërsa shtoi se: “Jemi në procesin e përmirësimit të akteve normative që rregullojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit, aplikimit të sistemit të ri të vlerësimit të performancës, si një instrument kyç për të përmirësuar besueshmërinë dhe transparencën gjatë ecurisë në karrierë të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe të studimit për riorganizimin e përgjithshëm të strukturës së Policisë së Shtetit”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re