Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite me ftesë të homologut të tij, Drejtorit të Përgjithshëm të Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami.
Gjatë takimit zyrtar në Riad, të dy drejtuesit vlerësuan marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe Policisë së Arabisë Saudite, duke shprehur angazhimin për t’i thelluar ato në fusha me interes të përbashkët si:
- Lufta kundër krimit të organizuar
- Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm
- Krimet ekonomike dhe kibernetike
- Menaxhimi i rendit publik dhe i ngjarjeve masive
Bashkëpunim strategjik dhe konkret
Drejtori Proda theksoi rëndësinë e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë, të nënshkruar në vitin 2023, si një bazë solide për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
“Jemi të vendosur të intensifikojmë trajnimet e përbashkëta, të zhvillojmë projekte pilot dhe të ngremë kapacitetet teknike dhe profesionale në dobi të të dy vendeve. Eksperienca saudite në menaxhimin e pelegrinazheve masive dhe përdorimi i inteligjencës artificiale përbën një model nga i cili ne duam të mësojmë,” – u shpreh Proda.
Ai shtoi se Policia e Shtetit është e gatshme të ndërtojë ura komunikimi të drejtpërdrejta ndërmjet strukturave operative të të dy policive, përmes planeve të përbashkëta të veprimit dhe nismave konkrete trajnimi.
Mbështetje saudite për Policinë shqiptare
Nga ana e tij, Gjeneral Lejtnant Al-Bassami vlerësoi vendosmërinë e drejtuesit të Policisë shqiptare për bashkëpunim ndërkombëtar pa barriera.
“Arabia Saudite është e gatshme të mbështesë Policinë shqiptare me trajnime, logjistikë dhe bashkëpunim hetimor në luftën kundër krimeve globale, në zbatim të marrëveshjes së vitit 2023,” deklaroi ai.
Takime në Mekë dhe Medinë
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi edhe takime me drejtues të sigurisë publike të qyteteve të shenjta, Mekës dhe Medinës. U diskutuan praktikat më të mira për menaxhimin e aktiviteteve masive dhe shkëmbimin e përvojave në garantimin e sigurisë publike në ngjarje me pjesëmarrje të lartë.
Në përfundim të vizitës, palët shprehën bindjen e plotë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ndërtimin e një marrëdhënieje strategjike të qëndrueshme në fushën e sigurisë.


