Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit paditën sot për shpërdorim detyre 3 ekspertë të Institutit të Ndërtimit të cilët firmosën akt-ekspertizën inxhinierike për prishjen e teatrit.

Më një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, ishte drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli tha se që në fillimet e tij si drejtor i Teatrit i ka bërë të qarta kushtet në të cilat teatri ndodhej.

“Nuk po arrij ta kuptoj zhurmën që shkakton një godinë e cila e ka mbaruar misionin e saj dhe ndërhyrjet që i janë bërë e kanë shkatërruar më tepër atë duke e kthyer nga brenda totalisht në një godinë të arnuar.

Dhe këtu nuk iu drejtohem turmave patologjike se është e turpshme, ka njerëz që s’kanë  asnjë lidhje me Teatrin Kombëtar, përveç  Nerital Liçaj që është aktori i teatrit.

Individët e tjerë nuk kanë ardhur ndonjëherë si spektatorë në teatër dhe për axhendat e tyre politike ulërasin për diçka që nuk ia kanë idenë. Kjo është një godinë që ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj“, – u shpreh z. Çuli.

I pyetur nëse mund të bëhet një restaurim i godinës ai tha se është e pamundur.

“Është i vetmi teatër në botë që në parametrat e tij bashkëkohor, nuk mund t’i qëndroj dot mizaskenave artistike të kohës.

Është i vetmi Teatër Kombëtar në botë që ka xhepa skenik nga gjysmë metri ku aktorët përplasin kokën me njëri-tjetrin”, – tha ndër të tjera drejtori i Teatrit Kombëtar.

Z. Çuli u pyet se pse shumica e aktorëve nuk e kuptojnë si ai pjesën se teatri ka dalë jashtë funksioni, përse nuk mendojnë dhe ata si ju, por dalin dhe bëjnë rezistencë për këtë situatë.

“Ju siguroj se 90 për qind e komunitetit artistik e ka kuptuar më në fund se kjo është një histori  që ka hyrë në një axhendë politike dhe nuk ka lidhje me një inspirim idealist”, – përfundoi  z. Çuli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re