Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” drejtuesin e Programit ICITAP-it në Shqipëri, zotin Charles Stephen Bennett, në prani të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Meta e vlerësoi zotin Bennett me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë, të treguar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të Policisë së Shtetit Shqiptar, si dhe nxitjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, në interes të forcimit të sigurisë publike”.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti u shpreh se Bennett ka punuar si Menaxher i Programit të ICITAP-it në Shqipëri që prej vitit 2011 dhe ai gëzon më shumë se katër dekada përvojë në fushën e zbatimit të ligjit, duke u njohur si një nga ekspertët kryesorë të ngritjes dhe rritjes së policisë si dhe stërvitjes së saj në vende që kanë kaluar konflikte dhe kanë qenë duke u rindërtuar.

“Për shumë vite me radhë që nga ato 1990-të e deri në fillim të viteve 2000, ai ka punuar dhe udhëhequr përpjekjet për zhvillimin dhe zbatimin e ligjit jashtë Shteteve të Bashkuara: në Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Taxhikistan, Afganistan dhe në Irak”, shtoi Meta. Po ashtu Bennett ka marrë dhe shtetësinë shqiptare, pasi ka shërbyer më shumë se 20 vite në Policinë shqiptare dhe asaj të Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re