Drejtuesit e vendeve, familjeve, miqve dhe qytetarëve evropianë shënuan spërvjetorin e rënies së Murit të Berlinit në Muzeun Përkujtimor të kryeqytetit gjerman.

Drejtuesit nga Gjermania, Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke morën pjesë në një ceremoni në Bernauer Strasse, një nga pjesët e fundit të Murit të Berlinit, për të shënuar 30-vjetorin e prishjes së simbolit të Luftës së Ftohtë që ndau Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore për më shumë se dy dekada.

E gjithë Gjermania, më 9 nëntor shënon 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duke shënuar fillimin e përfundimit të sundimit komunist, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por në shumicën e shteteve deri dje socialiste në Evropë.

Të pranishmit gjithashtu vunë lule në kujtim të viktimave. Përveç presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, në përkujtim morën pjesë një numër i madh udhëheqësish nga vendet e tjera. Presidentët e Sllovakisë, Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë ishin gjithashtu të pranishëm.

Në fjalimin e tij, Steinmeier falënderoi banorët e Sllovakisë, Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë për kontributin e tyre në procesin e bashkimit të dy Gjermanive.

“Pa guximin dhe dëshirën për liri të sllovakëve, polakëve, çekëve dhe hungarezëve, një revolucion paqësor në vendet e Evropës Lindore dhe bashkimi i dy Gjermanive nuk do të ishte i mundur,” tha Steinmeier.

Ndërsa Merkel, pasi vuri lule me të pranishmit, u zhvendos në një kishë të vogël aty pranë.

“Para prishjes, askush nuk besonte se ishte e mundur”, tha Merkel.

Ajo shtoi se tani “ne duhet të përballemi me urrejtjen, racizmin dhe antisemitizmin”.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re