Zjarri që ka përfshirë masivin pyjor me pisha në zonën e Drenovës vijon të jetë aktiv, pavarësisht ndërhyrjes nga ajri me helikopter.
Terreni i vështirë kodrinor po pengon ndërhyrjen efektive nga toka.
Aktualisht, 25 forca zjarrfikëse dhe 20 punonjës të bashkisë janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve, duke përdorur mjete rrethanore. Tre automjete zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer dhe të pakalueshëm.
Burime nga vendi i ngjarjes konfirmojnë se, megjithëse situata mbetet shqetësuese, intensiteti i flakëve është në rënie.
Forcat zjarrfikëse po vijojnë përpjekjet për neutralizimin e plotë të zjarrit, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
