Përfaqësuesi i iniciativës demokratike “IDE”, Dritan Shano deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha do të vazhdojë të mbetet “non grata” dhe Lulzim Basha e ka humbur mundësinë për të qenë lider, pavarësisht mbështetjes nga palë të treta.

I ftuar në emisionin “Dita jonë”, ndërsa e konsideroi Bashën krijesë të Berishës, Shano thekson se ky reagim i liderit historik të PD-së erdhi në momentin kur kreu aktual i nguli thikën pas shpine, ndërkohë që ka heshtur për çdo gjë që ka bërë Basha, përfshirë edhe garën në PD me Olldashin. Sipas Shanos, kjo është një çështje personale mes tyre, ku njëri do të ruajë karrierën dhe tjetri vulën.

“Berisha po reagon pasi krijesa e tij i nguli thikën pas shpine. Pse nuk e bëri, pse heshti kur u zhvillua gara e parë mes Bashës dhe Olldashit? Unë kam kërkuar një PD më të madhe se kryetari. Berisha është në pozicion të fuqishëm në PD dhe kur ai i shmanget me qëllim realitetit nuk mund të mos vuajë pasojat. E kam quajtur si çështje personale njëri do të ruajë karrierën, tjetri vulën. Për Bashën bën tifozllëk e gjithë PS-ja. Nuk di ç’pamje do të marrë, jam indiferent.

Nuk shoh sinqeritet nga asnjë palë, njëri e ka krijuar tjetrin dhe ishte OK me çdo gjë që bënte ky tjetri, derisa erdhi thika pas shpine. Berisha do të vazhdojë të mbetet non grata, Basha e humbi mundësinë për të qenë lider në vendimmarrjen e vet dhe lider është ai që dorëzon pushtetin. Nuk arrin dot të dalë pavarësisht suportit të palëve të treta si ambasada amerikane. PD-së kjo i shkakton dëm dhe favorizon Ramën”, tha Shano.

Për Shanon, opozita nuk duhet të jetë monopol, dhe që të vijë në pushtet ai thekson se duhet të shtohet në radhë, por që aktualisht PD-së nuk i vjen ai elektorat që i duhet.

“Unë nuk e njoh më monopolin e opozitës, opozita është në çdo shtëpi. Këto propozime mund të artikulohen nga deputetët në sallë, PD-ja që të vijë në pushtet ka nevojë për të shtuar radhë. Ata që po zihen nuk shtojnë radhë, por po e tresin dhe konsumojnë PD-në. Askush nuk i vjen nga ai elektorat që i nevojitet për të ardhur në pushtet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re