TIRANË- Policia e Tiranës një ditë më parë shpartalloi dy grupe kriminale, të cilat shpërndanin drogë afër shkollave dhe ambiente të tjera që frekuentoheshin kryesisht nga të rinj. Shpërndarja e lëndëve narkotike afër shkollave është kthyer në një shqetësim serioz për familjarët, të cilët kërkojnë më shumë përkujdesje për fëmijët e tyre nga frika se mos bien pre e trafikantëve të lëndëve narkotike.

Eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi, i ftuar në “Tirana Live” në  ABC News tha se operacioni i djeshëm i policisë më 20 të arrestuar ishte i suksesshëm dhe për këtë duhet përgëzuar. Ai tha se përmes  goditjeve të tilla mbrohet pjesa me vitale e shoqërisë, që janë fëmijët. Eksperti theksoi se shkollat duhet të kenë një kujdes të shtuar, me qëllim goditjen e fenomeneve , që nxisin rininë të futën në botën e konsumit të lëndëve narkotike.

“Në gjykimin tim e konsideroj operacion të suksesshëm sa i në numër të arrestuarve. Mbron pjesën më delikate të shoqërisë, Shkollat duhet të ktheheh në istikame dhe të paprekshme”, tha ai.

Por çfarë masash duhen marrë për ruajtjen e sigurisë nëpër shkolla? Eksperti edhe për këtë çështje u ndal në hollësi, ku fillimisht tha se duhet shtuar numri i efektivëve të policisë nëpër shkolla,  të ulet ngarkesa e policisë në punë si dhe të “pritet” çdo element i infiltruar që mund të favorizojë grupet kriminale.

“Policisë duhet t’ia ulin ngarkesën dhe të merret me rendin. Trafikantët në pub-e si shmangim dot, por në shkolla duhet tua bëjmë jetën ferr, sepse të gjithë kemi fëmijë dhe mund të përfundojnë “pre” e tyre. Duhet të rritet numri I efektivëve nëpër shkolla. Policia ka një thesar në dorë, ka në dorë një grup trafikantësh, përmes të cilit, me gjitha ato celular dhe ato automjete të bllokuar mund të shkojë në majë të piramidës.  Nëpërmjet telefonave mund të zbulohen të gjitha lidhjet. Aty është për t’u arsimuar jo për të marrë drogë. Shkollat duhet të trajtohen figurativisht si objekte të rëndësisë së veçantë”, tha ai. /n.m.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re