Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar në SPAK, kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, të cilin e akuzon për “kallëzim të rremë’.

Në një shkresë të depozituar ditën e sotme, Oslai Rama thekson se janë deklaruar në dalje televizive fakte të pavërteta, për të cilat ai thotë që s’janë konsumuar nga ana e tij.

“I nderuar z. Prokuror,

Unë, kallëzuesi Ols Rama, jam vënë në dijeni gjatë këtyre ditëve për disa deklarata të pavërteta në një emision televiziv në drejtim të personit tim, të bëra nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari z. Gazment Bardhi.

Për shkak se deklaratat e bëra, në vlerësimin tim, përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person e më japin cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim duke parashtruar rrethanat e faktit si dhe arsyetimin ligjor si më poshtë:

I. Rrethanat e faktit I kallëzuari Gazment Bardhi është deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në datë 28 Mars 2024 ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”, pranë televizionit kombëtar “Klan”.

Në pikëpamjen objektive, rezulton se i kallëzuari ka paraqitur prova të paqena në një emision të shfaqur në një televizion kombëtar. Ai ka vepruar publikisht në këtë mënyrë, me synimin e nisjes së një procedimi penal ndaj meje, për fakte të pavërteta e të pakonsumuar nga ana ime.

Me këtë sjellje së tij, i kallëzuari ka cenuar veprimtarinë e rregullt e normale të organeve të drejtësisë, por dhe të drejtat e lirisë e mia si individ, të mbrojtura me legjislacionin penal.

Në pikëpamjen subjektive, krijimi i këtyre provave është bërë me dashje të drejtpërdrejtë nga i kallëzuari, pasi ai është në dijeni të pavërtetësisë së tyre dhe në mënyrë të qëllimshme synon paraqitjen e tyre në organet e hetimit që ndaj meje, kallëzuesit, së nisë procedimi penal. Në vështrim së kritereve ligjore, i kallëzuari i përmbush kushtet për t’u konsideruar subjekt i këtij krimi.

Persa më lart si dhe bazuar në nenin 287/1 në lidhje me nenin 58/1, germa a, te Kodit te Procedurės Penale kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim te z. Gazment Bardhi, deputet Kuvendit, për kryerjen e veprës penale te “Kallëzimit të rreme, të parashikuar si të tillë nga neni 305 i Kodit Penal

Mbetem ne dispozicionin tuaj për të dhëne deklarime ne dobi te këtij hetimi, çdo të dhënë tjetër, shkresore ose jo, te vlefshme për vijimin e veprimeve hetimore”, thekson Olsi Rama.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re