Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, Gjermania po përballet me spiunazh më të fortë rus, tha Ministrja e Brendshme Nancy Faeser.
Presidenti i shërbimit të kundërzbulimit ushtarak (MAD) përmendi dronët mbi magazinat e municioneve dhe terrenet e stërvitjes ku stërviten ushtarët ukrainas në Gjermani.
“Me agresionin rus kundër Ukrainës, kërcënimi i spiunazhit rus, fushatave dezinformuese dhe sulmeve kibernetike ka marrë një dimension të ri”, tha ministrja Nancy Faeser, raporton DPA.
Interesi për Gjermaninë si një “qëndër logjistike është rritur sërish, veçanërisht për trajnimin e forcave të armatosura ukrainase këtu në Gjermani, por edhe për dërgimin e armëve në Ukrainë”, tha presidentja e MAD Martina Rosenberg për mediat ushtarake Nachgefragt.
Nëse një dron fluturon mbi një depo municioni ose një terren trajnimi ku forcat ukrainase stërviten, mundësitë e spiunazhit dhe sabotimit duhet të konsiderohen seriozisht, tha Rosenberg.
Spiegel raportoi se shërbimet sekrete ruse tashmë ishin përpjekur të spiunonin trajnimin e ushtarëve ukrainas për të përdorur sistemet e armëve perëndimore në Gjermani. MAD dalloi automjete të dyshimta pranë zonave ushtarake Idar-Oberstein dhe Grafenwer në Bavari.
Drone të vegjël fluturuan disa herë mbi terrenet e stërvitjes. Në qarqet e sigurisë dyshohet gjithashtu se shërbimet ruse mund të kenë tentuar të shkarkojnë të dhëna nga celularët e ushtarëve ukrainas duke përdorur skaner radio.
Në Idar-Oberstein, Bundeswehr-i stërviti ushtarët ukrainas për të përdorur obuset gjermane. Në Grafenwehr, forcat e armatosura të SHBA trajnuan ukrainasit në përdorimin e sistemeve të artilerisë perëndimore.
Pas ribashkimit në vitin 1990, Gjermania nuk ishte mjaft e kujdesshme, paralajmëroi një ekspert i sigurisë nga Partia e Gjelbër.
“Ne ishim të pakujdesshëm dhe nuk kujdeseshim për detajet. Dhe tani kemi një problem të zjarrtë sigurie”, tha Konstantin von Notz.
Pas ribashkimit, Gjermania pezulloi kryesisht aktivitetet e saj të kundërzbulimit, “ndërsa të tjerët vazhduan të bënin të njëjtën gjë si në Luftën e Ftohtë”, tha Notz për Spiegel.